Lufta me Serbinë diplomatike për njohje përfundimtare/ Kjo nuk mund të fitohet duke u barrikaduar dhe shpallur tradhtarët lart e poshtë

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për shtyp nga Prishtina, se “unë besoj që kush është krenar që në kohë paqeje lufton me mjetet e luftës dhe në vend të pushkës ka gjuhën është për t’u ngushëlluar, nuk është për t’u admiruar”.

“Paqja ka të tjera kushte dhe kërkesa, dhe për më tepër lufta me Serbinë është spostuar nga terreni i luftës për liri, në terrenin e luftës diplomatike për njohje dhe për zgjidhje përfundimtare të këtij ngërçi historik dhe unë nuk di që lufta diplomatike mund të fitohet duke u barrikaduar dhe duke shpallur tradhtarët lart e poshtë. Barrikadimi mund të jetë pjesë e strategjisë në një moment të caktuar, dikush mund të barrikadohet, dikush mund të vazhdoje te flasë e kështu me radhë, por gjithsesi ajo që unë besoj është që Shengeni Ballkanik, pse është quajtur Shengen, thjeshtë dhe vetëm për të vënë një pikë referimi lidhur me një hapësirë ku funksionojnë të 4 liritë e Bashkimit Europian, deri kur BE-ja do të na thithë plotësisht dhe nuk do të kemi nevojë për Shengen Ballkanik, sepse do të jemi pjesë e të gjithë hapësirës. Liria e lëvizjes së njerëzve, liria e lëvizjes së mallrave, liria e lëvizjes kapitale, liria e lëvizjes së shërbimeve”, tha Rama.

Ndërkaq, vijoi ai, “pse duhet Vuçiçi këtu? Për një arsye shumë të thjeshtë: nëse ne duam të hapim kufirin dhe të garantojmë të 4 liritë në kufirin mes nesh dhe këtë ne e kemi provuar më parë, i keni dëgjuar më parë të tjerët që kanë thënë do të hapen në 1 janar, në 31 dhjetor. E themi ne, nuk na çohet Beogradi të na thotë që kjo nuk bëhet, na çohet Uashingtoni dhe Brukseli, Beogradi po se po. Atëherë, ne duhet të vazhdojmë të qëndrojnë kështu me kufirin mbyllur dhe të mjaftohemi me lehtësimin që kemi bërë që të paktën do të ketë një kontroll. Kur hyjmë në Kosovë do të jetë nga pala kosovare, kur të hyjë në Shqipëri do të jetë nga pala tjetër apo ta heqim fare. Është shumë e thjeshtë. Nga ana tjetër, janë një sërë marrëveshjesh. Ka një pyetje shumë të thjeshtë: Pse marrëveshjet nuk ecin me shpejtësinë e duhur? Sepse nuk kemi krijuar kornizë dhe i kemi hyrë rrugës nga e kundërta për arsye objektive në atë kohë nëpërmjet marrëveshjeve të shkojnë drejt kornizës. Ne kemi filluar me kulturë, pastaj me ekonomi, nëse ne krijojmë kornizën në këtë hapësirë, 4 liritë e Bashkimit Europian do të implementohen, mbaroi puna”.

Rama tha se “ tjetra që është akoma më e rëndësishme: pse duhet të angazhohen kaq shumë forca për të gënjyer, për të shpifur, për të manipuluar opinionin publik duke treguar të kundërtat e të vërtetës. Për një arsye shumë të thjeshtë: nuk ka argument kundër Shengenit Rajonal, nuk ka argument kundër njehsimit të hapësirës shqiptare, nuk ka argument kundër njehsimit të hapësirës rajonale në funksionon ekonomik dhe social, dhe politik. Argumente nuk ka”, tha Rama.

“Shpifje, gënjeshtra, manipulime për të krijuar armikun e brendshëm që bashkëpunon me armikun e jashtëm dhe të dy bashkë duhen alternuar dhe më pas duhen asgjësuar, sa të duash. Historia është fjalë e madhe, koha më shpejt se vonë do të tregojë që të gjithë do të hyjnë në këtë proces, edhe Kosova nuk ka rrugë tjetër sepse nuk mund të rrijë mbyllur. Pse duhet të rrijë mbyllur? Aq më tepër se në këtë proces nuk ja kërkon njeri sepse këto janë kushte që i kemi venë ne, Shqipëria në këtë proces dhe janë pranuar nga pala tjetër. Nuk ja kërkon njeri që për të bërë këtë duhet të bëjë edhe këtë. Jo, do të bëjë atë që do. Ishte koha kur akoma ishte taksa në fuqi dhe nuk ishte kusht, madje kushti i vetëm i vendosur mes nesh, me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut ka qenë: nuk ka kushte për askënd. Duan ta mbajnë taksën, kjo është çështje bilaterale mes dy vendeve, nuk është një çështje që njëri vend ta kthejë në problem në të gjithë tavolinat. Pra, në aspektin e ndërveprimit mes vendeve nuk është as Jugosllavia, as Bashkimi Europian që një vend mund të bllokojë vendet e tjera, ose një vend thotë nuk dua këtë. Jo, fare. Këtu hapet një hapësirë dhe të gjitha vendet bëjnë me njëri-tjetrin, atë që duan. Pra nuk mund të dalë nesër asnjeri në Beograd dhe po nuk doli njeri në Beograd, nuk do të dalë as në Bruksel dhe as në Uashington, sepse e kanë kuptuar dhe e mbështesin këtë proces nëse ne hapim kufirin. Pse të mos e hapin kufirin? Për arsyen e thjeshtë, që ‘vëllai i Vuçiçit’ na e ka me hile. Në rregull”, – tha Kryeministri Rama.  z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.