Kredia me probleme/ Për herë të parë në 10 vitet e fundit ra në nivelin njëshifror 8,37%

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Për herë të parë në 10 vitet e fundit, treguesi i kredive me probleme ra në nivel njëshifror, duke arritur 8,37% në fund të vitit 2019.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, vlera e kredive me probleme arriti në 48.2 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 16,2 miliardë lekësh ose rreth 25,14%.
Ndikimin në këtë rënie e ka dhënë fshirja e kredive, si dhe shlyerja e kredive të parregullta e kombinuar me ristrukturimet.
Banka Qendrore shpërehet se, zhvillimet në cilësinë e portofolit të kredisë si grupi kryesor i aktiveve të bankave që mbart rrezik kredie më të lartë do të vijojë të mbetet në vëmendjen mbikëqyrëse, veçanërisht në kushtet e ndikimeve të mundshme negative nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, si dhe nga masat bllokuese ekonomike që lidhen me pandeminë globale COVID-19 gjatë vitit 2020.
Ndërkohë, faktori i fshirjeve të kredive me probleme vlerësohet se do të mbetet një nga kontributorët e rëndësishëm në ecurinë e këtij treguesi, që pritet të japë ndikim veçanërisht pas ndryshimit rregullativ, i cili detyron bankat të fshijnë kreditë e klasifikuara të humbura për më shumë se 2 vjet, nga 3 vjet sipas rregullit të mëparshëm. e.xh//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.