Hapja e kufijve nga BE/ Xhafaj: Nisje e një procesi dinamik, situatën mund ta rikuperojmë të gjithë bashkë

TIRANË, 30 qershor/ATSH/- Vendimi i Bashkimit Europianë për të mos hapur kufijtë me vendin tonë për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19 është një vendim që mund të rikuperohet, ndërkohë që nuk janë hapur kufijtë edhe për 150 vende të tjera.

Zëvendësministri i Jashtëm, Etjen Xhafaj, gjatë një interviste televizive, mbrëmjen e të martës, nënvizoi se Kryeministri dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme kanë lobuar për ta bërë Shqipërinë pjesë të listës, ndërsa theksoi se këto përpjekje do të vijojnë edhe në vijim.

Sipas Xhafajt, futja e Serbisë në këtë listë, edhe pse kjo e fundit nuk plotësonte kriteret, tregon për një vendim politik të BE.

“Kryeministri ka shumë më tepër informacion se unë. Lobimi, ju garantoj dhe siguroj se ka qenë një pjesë tejet aktive e punës sonë dhe Kryeministri është marrë vetë me këtë pjesë”,- tha Xhafaj.

“Tek lista ka pasur ndryshime që janë dukur pak të çuditshme, duke parë Serbinë dhe Malin e zi që janë mbi standardet e vendeve të BE, por janë pjesë e listës, përmes kriterit afër apo nën këtë numër mesatar të rasteve gjatë dy javëve të fundit, pra s’kemi pasur kriter fiks”,- tha Xhafaj.

“Vlera absolute e shpërndarjes së virusit nga 8 marsi, kur kemi regjistruar rastin e parë, duke parë statistikat kumulative, pra sa janë mbushur spitalet, sa shtretër të lirë ka, qoftë duke parë rastet dhe rritjet e rasteve, kemi pasur një kauzë që ne shpresonim se do të ndihmonte në hapjen dhe do përfshinte vendin tonë në këtë listë. Por fakti që nuk jemi nuk do të thotë asgjë, është nisje e një procesi dinamik, pasi çdo dy javë ka një përditësim të listës”,- tha më tej Xhafaj.

“Ky nuk është një vendim vetëm për Shqipërinë, por është një vendim shumë më i gjerë, duke lënë jashtë dhe vende të tjera. Në këtë vendim bëhet fjalë për udhëtime jo esenciale, pra për turizmin. Vendimi ka lejuar studentët, punonjësit sezonalë, edhe kategori të tjera nga vendet që janë jashtë kësaj liste. Këto janë që mund të udhëtojnë drejt BE, por jo për turizëm. Duke parë se si do të ndryshojë mesatarja gjatë këtyre dy javëve, ne do të lobojmë për t’u përfshirë në këtë listë. Nuk flasim për racizëm, por flasim për arsye politike që një vendi i jepet një prioritet i caktuar. Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm jo vetëm përmes ambasadave, jo vetëm si ministri, por dhe kryeministri vetë me Italinë dhe Greqinë, dhe kemi kërkuar që nëse do kishte një tejkalim të kriterit teknik edhe ne të ishim brenda”,- tha Xhafaj.

“Ajo që parashikohet është se në bazë të kësaj liste do bëhet hapja graduale dhe për udhëtimet jo esenciale. Të gjithë vendet anëtare të udhëtojnë brenda kësaj liste. Italia s’mund të dilte nga linja tërësisht që ka pasur një akord të paravendosur. Fokusi ka qenë që të përfshihet Shqipëria”,- tha Xhafaj, i cili garantoi se përpjekjet vijojnë.

“Janë 150 vende të tjera që nuk janë në këtë listë. Duhet të shohim pak dhe realitetin. Është një situatë që mund ta rikuperojmë ë gjithë bashkë dhe institucionet janë në krye të punës për këtë.”,- tha Xhafaj. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.