Durrës/ Këshilli bashkiak miraton qiratë për familjet e pastreha nga tërmeti

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar të martën subvencionin e qirave për familjet e mbetura pa strehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të shkuar, ashtu sikurse miratoi edhe ndihmën ekonomike deri 6 % nga të ardhurat e bashkisë

Gjatë ditës së sotme këshilli bashkiak i Durrësit, ka zhvilluar mbledhjen e radhës në sallën e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” duke zbatuar protokollin e sigurisë antiCovid.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e ka sqaruar anëtarët e këshillit bashkiak lidhur me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me procesin e rindërtimit në Bashkinë e Durrësit.

Këshilli bashkiak miratoi numrin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllokndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin qershor 2020. Po ashtu, u miratua buxheti shtesë i bashkisë Durrës për vitin 2020 dhe rezoluta “mbi marrjen e masave të veçanta për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë të shkaktuar nga Covid-19, pёr parandalimin e dhunёs me bazё gjinore”.  

Këshilli bashkiak miratoi përdorimin e fondit prej 1’050’000 lekë pa tvsh, për blerjen e dy tuneleve dezinfektues, të cilët do të vendosen në hyrjen kryesore të bashkisë Durrës dhe qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.