Divjakë/ 80% e prodhimit të bostanit shkon në tregjet e BE-së

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Divjaka, 85 km larg Tiranës, është një nga zonat bujqësore më prodhuese të vendit.

Produktet bujqësore nga zona e Divjakës zënë një vend kryesor në tregjet e vendit dhe për eksport.

Në këtë zonë dominojnë produktet bujqësore të serrave dhe bostanit. Kultivimi dhe prodhimi i të cilave po shënon trend në rritje të vazhdueshme, nxitur nga skemat e mbështetjes financiare të qeverisë dhe të ardhurat e kënaqshme ekonomike që po marrin fermerët.

Drejtoria e Bujqësisë në Lushnjë bën të ditur se, afro 80% e prodhimit të bostanit ka shkuar për eksport, ndërsa pjesa tjetër në tregun vendas.

Miço Kote, specialist i ekstensionit në Lushnjë tha për ATSH-në se, “këtë vit fermerët në Divjakë, po e tregtojnë bostanin me çmime të kënaqshme. Kërkesë oferta dhe çmimet e shitjes justifikojnë kostot e prodhimit. Në pikat e shumicës ky produkt është shitur me 40 deri në 50 lekë për kg”.

Kote tha se, eksportet e bostanit edhe këtë vit po shënojnë rritje të vazhdueshme dhe brenda sezonit tre mujor të vjeljes parashikohet që fermerët të arrijnë të shesin të gjithë prodhimin. e.xh//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.