FOKUS – BE rihap kufijtë, lista e 15 vendeve drejt përditësimit të shpejtë

BRUKSEL, 30 qershor /ATSH-AFP-DPA/ – Bashkimi Europian hapi kufijtë për 15 vende, përfshirë Kinën, nën kushte reciprociteti, por duke përjashtuar SHBA-në.

Vlen për t’u theksuar se kjo listë do të përditësohet çdo dy javë.

”Por, vendimet për t’i ndaluar sërish këto vende mund të ndërmerren edhe jashtë këtij programi. Nëse situata në një vend të tretë të renditur përkeqësohet shpejt, duhet të zbatohet vendimmarrje e shpejtë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Vendimi bazohet në faktorët epidemiologjikë, përkatësisht numrin e infeksioneve të reja gjatë dy javëve të fundit, pavarësisht nëse tendenca e infeksioneve të reja është në rënie apo e qëndrueshme dhe reagimi i përgjithshëm i një vendi drejt pandemisë.

Numri i infeksioneve të reja për 100 000 banorë duhet të jetë pranë ose më poshtë mesatares së BE-së, e cila së fundmi ishte rreth 16.

Rekomandimet nuk janë juridikisht të detyrueshme.

“Autoritetet e shteteve anëtare mbeten përgjegjëse për zbatimin e përmbajtjes së rekomandimit”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Drita jeshile iu hap Kanadasë dhe tre vendeve të Magrebit, ndërsa ajo e kuqe SHBA-së dhe Turqisë.

Vendet e tjera në listë që u miratuan janë Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda,  Tunizia dhe Uruguaji.

Kina mbetet subjekt i konfirmimit të reciprocitetit.

E përjashtuar nga kjo listë është SHBA-ja, vendi më i prekur në botë nga pandemia, me 125 928 të vdekur për rreth 2,6 milionë raste me COVID-19.

Para pak ditësh, ekzistonin dy lista, një për vendet që do të pranoheshin dhe një tjetër për vendet që nuk do pranoheshin, ndërkohë që Shqipëria ishte përfshirë mes vendeve që qytetarëve të saj do t’u lejohej hyrja në territorin e BE-së.

Ndërkohë, më 10 qershor Komisioni Europian rekomandoi heqjen e kufizimit të udhëtimit për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë që nga 1 korriku duke pasur parasysh se situata e tyre epidemiologjike ishte e ngjashme ose më e mirë se sa ajo e BE./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.