BRITANI E MADHE – “EasyJet” planifikon të shkurtojë 700 vende pune

LONDËR, 30 qershor /ATSH-AFP/ – Linja ajrore britanike “EasyJet” planifikon të shkurtojë 700 vende punë pilotësh dhe të mbyllë tri baza në Britaninë e Madhe, si pjesë e planit të saj të ristrukturimit të shpallur më parë, tha sot sindikata BALPA.

“Këto janë masa shumë të vështira për t’u propozuar, por për fat të keq kërkesa e ulët do të thotë që kemi nevojë për më pak avionë dhe më pak personel”, theksoi Johan Lundgren, drejtori ekzekutiv i kompanisë.

Kompania hapi seanca këshillimi me sindikatat, pas nisjes së një plani ristrukturimi, duke parashikuar shkurtime deri në 4 500 vende pune, gati një e treta e forcës së saj të punës.

Ashtu si konkurrentët e tij, grupi duhet të kursejë para dhe të ruajë financat e tij për t’u përballur me krizën serioze në transportin ajror, i cili po rimëkëmbet shumë ngadalë, pas disa javësh paralizë veprimtarie për shkak të pandemisë së COVID-19./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.