169 757 qytetarë përfituan deri tani “pagën e luftës”/ Garancia e dytë Sovrane mund të japë financim edhe për blerjen e lëndëve të para

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, deklaroi sot se nga Paketa e Zgjeruar e Qeverisë prej 40 mijë lekë kanë përfituar 169 757 qytetarë shqiptarë.

Në kuadër të turit të komunikimeve të drejtpërdrejta Vjero vizitoi sot një biznes në Tiranë, i cili ka përfituar nga Paketa e Zgjeruar e Qeverisë.

Pronari i këtij biznesi tha se “ne përfituam pagën e luftës prej 40 mijë lekë, sepse jemi biznes i madh, ne kemi tre dyqane. Aplikuam dhe nuk patëm ndonjë problem. Ishte çdo gjë në rregull. Tani po mundohemi të rikuperojmë atë pjesën që humbëm nga karantina. I kemi hapur të gjitha aktivitetet dhe jemi pajisur me masa mbrojtëse”.

“Ky dyqan që është më i vogli dhe ka 8 punonjës. Të gjithë e kanë përfituar, edhe personeli që s’e ka pasur të mundur të vijë për shkak të transportit në punë edhe ato e kanë përfituar pagën e luftës. Personelin e kemi mbajtur në punë, vetëm ata që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar vetë kanë ikur nga puna, por ne nuk kemi larguar asnjë nga puna”, – theksoi pronari i biznesit.

Zv.ministrja Vjero u shpreh se “besoj se keni informacion për kreditë e garancisë sovrane të parë dhe të dytë, të miratuar nga qeveria. E para ishte për pagat, ju i keni marrë pagat, ndërsa garancia sovrane është për bizneset që duan të bëjnë investime për një periudhë deri në 5 vite. Garancia e dytë Sovrane mund të japë financim edhe për blerjen e lëndëve të para, nuk është vetëm për ata që duan të investojnë, por edhe për të patur një qarkullim të përditshëm, për të blerë mallra, etj”.

“Më vjen mirë që keni përfituar nga këto ndihma. Uroj që vijueshmëria e biznesit të jetë më e mirë. Normaliteti do ende kohë të rikthehet dhe do të jemi shumë striktë ndaj masave”, – tha Vjero./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.