Vetingu/ Seancë dëgjimore me gjyqtaren e Apelit Tiranë, Valdete Hoxha

TIRANË, 29 qershor /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot një seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Valdete Hoxha, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Trupa Gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj, Genta Tafa (Bungo) shqyrtoj provat dhe fakte në lidhje me ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional.

Gjyqtarja Valdete Hoxha u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe Komisioni konstatoi përshtatshmërinë e saj për vazhdimin e detyrës.

Po ashtu, Hoxha u vlerësua pozitivisht edhe për profesionalizimin. Relatorja Genta Tafa Bungo tha se nuk ishin gjetur indicie apo probleme në 33 denoncimet e kryera nga publiku ndaj gjyqtares Valdete Hoxha.

E pyetur nga Bungo në fund të seancës dëgjimore nëse kishte ndonjë shpjegim lidhur me numrin e madh të denoncimeve, gjyqtarja Hoxha tha se çdo vendim që ka dhënë ka qenë profesional dhe në përputhje me ligjin.

Në fjalën e saj, gjyqtarja Hoxha tha se gjetjet e Komisionit ishin në përputhje me deklaratat e saj. “Edhe pse punoj në një periudhë kur ka humbur besimi i publikut tek drejtësia, unë kam punuar me korrektësi e në zbatim të ligjit. E vlerësoj maksimalisht këtë proces dhe kërkoj konfirmimin tim në detyrë,” përfundoi gjyqtarja Valdete Hoxha.

Valdete Hoxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Gjykatën Ushtarake të Apelit Tiranë. Ajo punon si gjyqtare e Apelit të Tiranës që prej shkrirjes së gjykatës ushtarake në vitin 2009.

Në fund, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi se do të shpallë vendimin më datë 1 korrik, ora 10:15. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.