Rama nis vizitën në Prishtinë, takim me Limajn

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Prishtinë me Kryetarin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Takimi u zhvillua në selinë e Nisma Socialdemokrate, ndërkohë që në këtë takim, Kryeministri Rama shoqërohej edhe nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, sikurse shprehet “për të mësuar më shumë” në lidhje me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë të ditur detaje nga takimi i zhvilluar me Kryeministrin Edi Rama duek bërë të ditur se “kanë diskutuar për zhvillimet aktuale me theks të vecantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tone”.

“Bashkërisht konstatuam se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë̈ lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi. Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit”, shprehet ai.

Limaj deklaron se “Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë. Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova”.

/m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.