Protokollet antiCovid/ 569 inspektime në operatorët e biznesit në vend

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë vijuar inspektimet në garantim të sigurisë ushqimore dhe monitorimet në kuadër të taskforcës antiCovid.
AKU njoftoi se, inspektorët orientojnë dhe këshillojnë pa ndërprerë bizneset që të respektojnë të gjitha protokollet e sigurisë, kundër përhapjes së sëmundjes Covid-19.
Sot AKU ka kryer 569 inspektime në operatorët e biznesit në të gjithë vendin.
“Gjatë inspektimeve ndaj një subjekti është dhënë masë administrative për tregtim ushqimi të pasigurt. Është bërë asgjësimi i 10,7 tonë produkteve ushqimore me kërkesë të vetë subjektit. Ndërsa referuar planit të marrjes së mostrave janë marrë 21 mostra kryesisht në monitorim të qumështit dhe në fruta-perime për analizim të mbetjeve pesticide”, njoftoi AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është çdo ditë në terren në mbrojtje të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.