Numri i bizneseve të reja në rajonin e Korçës është rritur me 45% në raport me vitin e shkuar, pavarësisht pandemisë

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi sot një vizitë pune në bashkinë e Korçës, me qëllim diskutimin e masave të ndërmarra nga qeveria, në mbështetje të rimëkëmbjes së biznesit pas vështirësive të krijuara nga situata postCOVID 19.
“Zhvillimi i rajonit të Korçës, është shembull i angazhimit të sipërmarrësve novatorë dhe të organizuar. Prioritet në vazhdimësi të punës tonë është zhvillimin ekonomik i zonës”, – u shpreh Denaj.
Numri i bizneseve të reja në rajonin e Korçës është rritur me 45% në raport me vitin e shkuar, pavarësisht pandemisë, tha ministrja. Likuiditeti në këtë fazë të ringritjes së ekonomisë është shumë i rëndësishëm për të materializuar investimet dhe shërbimet, theksoi ajo.
Denaj informoi se 4 mijë e 500 biznese dhe mbi 10 mijë qytetarë në Korçë kanë përfituar nga dy paketat e qeverisë.
Nevoja për likuiditet adresohet për të gjitha bizneset përmes dy Garancive Sovrane të Qeverisë, të cilat janë në zbatim nga bankat e nivelit të dytë, theksoi ministrja.
Kryetari Filo nga ana e tij tha se, politikat lehtësuese dhe mbështetëse për biznesin dhe sipërmarrjen, për kapërcimin e vështirësive të krijuara nga COVID-19, po zgjerojnë përmasat në disa nivele.
Këshilli bashkiak i Korçës ka miratuar  përjashtimin nga pagesa e tarifës për zënien e hapësirës publike për muajin qershor për 354 subjekte. Ndërsa 56 subjekte të transportit të udhëtarëve në linjat urbane dhe ndërurbane, për periudhën mars e deri në rinisjen e aktivitetit, përjashtohen nga pagesa e tarifës së parkimit, u shpreh Filo.
Më tej Denaj vazhdoi edhe takimet me biznesin për të diskutuar rreth Pagës së Luftës dhe Kredisë Sovrane e mbështetjen e bizneseve dhe punonjësve nga këto dy paketa.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.