Ministria e Shëndetësisë: 64 raste të reja me COVID-19, 2 humbje jete dhe 54 të shëruar në 24 orët e fundit

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 64 raste pozitive.

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini tha sot se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec”.

Në vendin tonë aktualisht janë 970 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

MSHMS apel për bizneset bar-kafe, restorante, zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë. Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore.

Tomini tha se “në 24 orët e fundit, referuar shërbimit infektiv, një paciente 78-vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv, megjithë trajtimin intensiv në reanimacion dhe një pacient 83 vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni”. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”, tha ajo.

Tomini u shpreh se vijon të ketë shtrime në spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 84 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 54 qytetarë, duke e çuar në 1438 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

COVID-19 – Statistika (29 qershor 2020)
Testime totale 26663
Raste pozitive 2466
Raste të shëruara 1438
Raste Aktive 970
Humbje jete 58 (qarku Tiranë 32, Durrës 10, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 7, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 358
Durrës 198
Shkodër 155
Vlorë 100
Fier 47
Lezhë 39
Korçë 28
Kukës 18
Elbasan 13
Gjirokastër 7
Berat 6
Dibër 1

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.