Meta: I angazhuar për plotësimin e rekomandimeve të BE që i shërbejnë integrimit

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta u shpreh sot i bindur në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa komentoi aktakuzën ndaj presidentit Thaçi. Sipas tij, nuk do të funksionojë asnjë skenar për njollosjen e luftës së drejtë të UÇK-së.

Gjatë një interviste televizive, Meta tha se, “UÇK ka qenë një aleate e NATO-s dhe e hapur. Gjykata Speciale u krijua për të hetuar pretendimet e krimeve të luftës pra të akuzuar do ishin vetëm pjesëtarë të luftës. Aktakuzat janë përpjekje për tymnajë të panevojshme”.

Meta theksoi se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën në të ardhmen si krijesë e BE dhe vendeve euroatlantike.

Ai shprehu bindjen se Kosova si shtet i pavarur është krijesë e përbashkët e SHBA dhe BE, ndërsa u shpreh se Thaçi në prononcim e tij dhënë mbrëmjen e së hënës “në mënyrë korrekte e bëri të qartë se nëse aktakuza konfirmohet do gjejë zgjidhje jashtë zyrës së tij”, – tha Meta.

Në lidhje me procesin e integrimit, Presidenti shprehu angazhim maksimal për të bërë gjithçka duke theksuar se për mënyrën e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese duhen ndjekur rekomandimet e “Venecias”.

“Si institucion i presidentit jam i angazhuar për të bërë gjithçka për plotësimin e rekomandimeve të BE që i shërbejnë integrimit”, – theksoi Meta. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.