“Legjenda e një shisheje vere”/ Rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në Grabovicë të Pogradecit

 

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ “Legjenda e një shisheje vere” mund të titullohet rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në fshatin Grabovicë të Pogradecit, aty ku sot është ngritur një prej kantinave më të mira në vend të prodhimit të verës.

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi përcolli historinë e Ersolit, duke thënë se bëhet fjalë për një histori frymëzuese për këdo që kërkon të investojë në fshat.

Ersoli tregon se, përveçse vreshtaria është një profesion shumë i bukur, është edhe i vështirë, pasi kërkon angazhim për të përfituar rezultate konkurruese.

28-vjeçari thotë se ndonëse u shkëput me familjen për të jetuar në Pogradec, lidhja me fshatin vijon të jetë shumë e fortë e kjo falë investimit në vreshtari.

Ersoli ka studjuar Kimi Ushqimore me qëllim që t’i shërbejë rritjes së produktivitetit në vreshtari dhe prodhimit të verës në kantinën e ngritur pranë fermës së tij.

Tradita e vreshtarisë në Grabovicë është e hershme. Ersoli, thotë se vreshtaria në tokën e familjes së tij është zhvilluar në katër breza, por falë investimeve në teknologji prodhimi i verës nga kantina “Caco”, është kthyer në një markë mjaft të kërkuar nga tregu vendas.

“Pjesa e kantinës ka arritur kualitetet më të mira. Metodat tradicionale konsistojnë në fermentimin e rrushit, por teknologjia e përparuar i ka shtuar vlerë verës nga kantina jonë”, – shprehet Ersoli.

Shembulli i tij është dëshmi e punës së përkushtuar për prodhim cilësor dhe për të rritur vlerat e zonës.

Ndërsa rritja e sipërfaqeve me vreshta falë subvencioneve po rrit prodhimin për treg, edhe lehtësitë fiskale për industrinë e verës po përcaktojnë ecurinë pozitive të sektorit.

Zhvillimi i këtij sektori po rrit punësimin dhe përmirëson të ardhurat ekonomike.

“Sot në fermën me vreshta janë të punësuar mbi 20 familje të zonës dhe janë rritur të ardhurat e ekonomisë fermere. Ndërsa aplikimi në programin IPARD do të na mundësojë  zbatimin e teknologjive bashkëkohore që bën diferencën në cilësi”, – thotë Ersoli.

“Vëmendja ndaj fshatit është mundësi e padiskutueshme në zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.