Jap dorëheqjen nëse konfirmohet aktakuza, Kosova shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se “nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqjen si President dhe do të përballem me akuzat”.

Në një mesazh për popullin e Kosovës dhe shqiptarët kudo ku jetojnë, Presidenti Thaçi theksoi se “Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam”.

“Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Europian”, – tha Thaçi.

Presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.Një shtet europian e një shoqëri multietnike. I them edhe një herë jo hakmarrjes dhe po tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhmen euroatlantike”.

“Kosova duhet të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejshëm. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, – tha Thaçi.

Më tej, Presidenti Thaçi theksoi se “zemra ime është e lënduar, por jo e thyer. Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë. Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim. E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja”.

“Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike. Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar. Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën”, – tha Thaçi duke shtuar se politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme, vijoi ai, që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

“E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madh njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njësoj do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, – nënvizoi Thaçi.

Kreu i Shtetit të Kosovës u shpreh se “gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë! Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Sllobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar. Por, një gjë më lejoni ta bëj shumë të qartë: Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare. Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë. Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë.
Njëra, të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian; Dhe e dyta, që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës”.

Vendimi im, shtoi Thaçi, ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës.

“Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike. Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz. Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë”, – tha Thaçi.

Ai u shpreh se “unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Dhe ja ku jemi sot. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim europian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë! Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës. Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve”.

Presidenti Thaçi tha se “padyshim edhe ne kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona. Unë i pari dhe bashkë me mua krejt udhëheqësit e partive politike në Kosovë, që prej disa vitesh nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin politik. Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj”.

“E në anën tjetër, në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës. Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare. Ne jemi angazhuar, unë personalisht jam angazhuar fuqimisht, për dialog e paqe me Serbinë. Por, nuk pajtohem, as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve”, – theksoi Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se, “a mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona të përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh? Kjo pyetje absurde lind natyrshëm, pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës. Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë temë krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada”.

“Jetoj për misionin historik të cilit i përkas bashkë me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, e shumë të tjerë që ishin të parët në luftën për liri, por edhe të parët të goditur e të sulmuar pas lufte. Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje e as për të marrë pushtet. Shkuam ja për të jetuar të lirë, ja për të vdekur për liri! Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe pavarësi. Bashkërisht ëndrrën e bëmë realitet. Por, kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk mund të ishte për ne as i thjeshtë, as i lehtë. As nuk e kam mohuar ndonjëherë kur kam qenë në krye të qeverisë, as nuk e mohoj sot, se ashtu siç ka pasur arritje në zhvillimin e Kosovës, po ashtu kam pasur sfida në qeverisje dhe drejtim të shtetit”, – tha Thaçi, duke shtuar se kjo është e natyrshme për një lider.

Por, shtoi ai, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

“Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit”, – tha Thaçi.

Ai theksoi se “nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh. Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm një herë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them: Më fal, në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar”. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.