Gjykata Kushtetuese/ Nussberger: Mbi bazën e opinionit të Komisionit të Venecias, rruga tani duhet të jetë e qartë

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Anëtarja e Komisionit të Venecias, prof. Angelika Nussberger, u shpreh në një intervistë për “Deutsche Welle”-n se, “për Shqipërinë ka një rëndësi të jashtëzakonshme të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale”.

Kështu që, sipas saj, hapi tjetër i nevojshëm është të ecet përpara me emërimet e tjera të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Mbi bazën e opinionit të Komisionit të Venecias rruga përpara tani duhet të jetë e qartë”, u shpreh ajo.

“Është e vërtetë që teknikisht opinionet e Komisionit të Venecias nuk janë të detyrueshme; ato ofrojnë atë që shpesh quhet si “soft law” – “ligji i butë”. Por kjo nuk do të thotë që ato mund të neglizhohen. Përkundrazi, të dy, kryetari i Parlamentit të Shqipërisë edhe Presidenti i Shqipërisë e kanë kërkuar opinionin, që do të thotë ata që kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Opinioni i Komisionit të Venecias jep një përgjigje për pyetjet e kërkuara. Prandaj nuk mund të ketë asnjë dyshim që do të merret seriozisht. Përgjigjet e dhëna përfaqësojnë komunitetin ligjor europian; ato kanë një autoritet të veçantë”, theksoi Nusseberger.

E pyetur se çfarë duhet bërë për të përshpejtuar procesin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese, Nusseberger tha se “Kushtetuta e Shqipërisë vendos një mekanizëm të komplikuar për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Parashikimet kushtetuese çuan në mosmarrëveshje, se si kuptohen ato në kushte të caktuara – në një situatë, ku ka shumë vende bosh në të njëjtën kohë, ku procedura e vetting-ut është ende në vazhdim e sipër dhe ku ka vetëm shumë pak kandidatë”.

“Komisioni i Venecias ka dhënë shpjegimin si të operohet në kushte të tilla. Kështu, bazuar në këtë opinion, aktorët e ndryshëm politikë duhet të fillojnë bashkëpunimin në mirëbesim. Për të kapërcyer krizën kërkohet dhe është thelbësore arritja e një konsensusi të gjerë për një dialog konstruktiv, ndërinstitucional dhe bashkëpunimi mes institucioneve të shtetit”, u shpreh prof. Angelika Nussberger.

“Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë një efekt pozitiv në zhvillimin e vendit. Çështjet e diskutueshme mund të zgjidhen kështu mbi baza ligjore. Në një rast të mosmarrëveshjeve mes aktorëve të ndryshëm politikë Gjykata Kushtetuese do të jetë arbitri që do të tregojë rrugën përpara”, tha ajo.

Në reagim të këtyre deklaratave, Presidenti Ilir Meta tha se “tani është koha për zbatimin korrekt të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, përmes bashkëpunimit transparent dhe konstruktiv”.

“Nuk ka më vend për interpretime. Është shumë e rëndësishme që Komisioni i Venecias do të ndjekë edhe zbatimin e rekomandimeve të tij të fundit për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë”, u shpreh Meta.

“Po kështu, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë në ndjekje nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare. Kjo është e vetmja rrugë drejt çeljes së negociatave dhe funksionimit të shtetit ligjor”, tha Meta.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.