COVID-19/ Kalo apel mjekëve: Puna, përkushtimi dhe profesionalizmi, çelësat e zgjidhjes së kësaj sfide

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo apeloi sot për ndërgjegjësim si dhe kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve në mposhtjen e kësaj sëmundjeje.

“Kohë Kovidiane. Puna, përkushtimi dhe profesionalizmi duhet të prevalojnë këto kohë në shëndetësinë tonë publike dhe jo vetëm. Si Mantelbardhë duhet t’i bëhemi krah njëri-tjetrit në këtë sfidë mbarëbotërore”, shprehet ai.

“Teorizimet për protagonizëm, por jo për zgjidhje praktike të ardhura këto javë nga burime si të brendshme po ashtu edhe të jashtme, sidomos kur ato në harkun kohor të disa javëve kundërshtojnë njëra-tjetrën, nuk sjellin ndonjë dobi në përballjen me këtë sfidë, përkundrazi  Sars-Cov2/Covid-19 është ulur tashmë këmbëkryq në mesin tonë”, thekson Kalo.

“Jo me mërira dhe hatërmbetje të pavlera, që disa i sjellin në vëmendjen tonë këto kohë, kur të tëra energjitë tona intelektuale dhe jo vetëm duhen përmbledhur në mirëmenaxhimin e kësaj sfide, që ishte, është dhe ndoshta do mbetet me shumë shqetësime edhe për vende me fuqi ekonomike dhe sisteme shëndetësore më të mirëpajisura e më mirë të financuara se sistemi ynë shëndetësor”, shton Kalo.

“Mirëbesimi dhe mirëkuptimi mes nesh si kolegë si dhe i yni me publikun, i cili për asnjë çast të mos e nënvlerësojë kujdesin ndaj vetes dhe të afërmve të tij, mbeten çelësat e zgjidhjes së kësaj sfide që ka vënë në vështirësi jetën e të gjithëve. Bashkë me siguri ne do ja dalim mbanë”, përfundon Kalo.

/gj.mima//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.