BRUKSEL – Kufijtë e jashtëm të BE-së ende të mbyllur për shumicën e të huajve

BRUKSEL, 29 qershor /ATSH-AFP-DPA/ – Qeveritë europiane kanë kohë deri të martën në mesditë të vendosin nëse do të hapin apo jo kufijtë e BE-së nga 1 korriku për udhëtarët nga rreth 14 vende të treta, situata epidemiologjike e të cilëve vlerësohet e kënaqshme, por që përjashton në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendet e BE-së duhet të votojnë me shumicë të kualifikuar në këtë listë, të hartuar nga ambasadorët të premten në mbrëmje, u mësua sot nga burime diplomatike.

Bashkimi Europian do të vazhdojë të ndalojë udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara të Aermikës dhe shumica e vendeve të tjera përtej 1 korrikut, sipas diplomatëve të BE-së.

Vetëm 14 vende janë në listën e shteteve që do të lejohen në Bllok, duke përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Tajlandën.

Në parim do të lejohen edhe qytetarët kinezë, por vetëm pasi Kina të heqë ndalimin e saj për qytetarët e BE-së.

“Këshilli Europian ka nisur procedurën e shkruar zyrtare për miratimin e marrëveshjes”, deklaruan diplomatët e BE-së.

Marrëveshja vjen tre muaj pasi BE, Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni mbyllën kufijtë e jashtëm për të gjithë udhëtimet jothelbësore për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri./ /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.