BRUKSEL – Europianët kërkojnë më shumë bashkëpunim në BE pas pandemisë

BRUKSEL, 29 qershor /ATSH-AFP/ – Pandemia e koronavirusit ka bindur europianët për nevojën e një bashkëpunimi të zgjeruar brenda Bashkimit Europian, të cilët mendojnë se menaxhimi i krizës nuk ka qenë në lartësinë e duhur, sipas një studimi të publikuar sot.

Analistët e Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë (EFCR) gjithashtu besojnë se imazhi i SHBA-së tek europianët është përkeqësuar veçanërisht gjatë krizës, një ndryshim i qëndrimit, që nga Lufta e Ftohtë.

Analiza bazohet në sondazhet e kryera në nëntë vende europiane (Bullgari, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Poloni, Portugali, Spanjë dhe Suedi) me 11 000 qytetarë, mes fundit të prillit dhe fillimit të majit, kur vendet po përgatiteshin një lehtësim gradual të masave kufizuese.

Për autorët, Ivan Krastev dhe Mark Leonard, qytetarët sot duket se e shohin shtetin si një motor progresi sesa si një mekanizëm sigurimi, një mbështetje për të papunët ose një magazinë për rezervat e maskave, medikamenteve dhe ushqimeve, për të cilat do të kemi nevojë gjatë krizës së ardhshme.

Vetëm 29% e europianëve të anketuar kanë më shumë besim në qeverinë e tyre dhe besojnë se ajo e ka menaxhuar mirë krizën. Rreth, 33% kanë humbur besimin tek pushteti qendror dhe kanë një imazh të keq për menaxhimin e tij.

Franca është vendi më i ashpër, ku pjesa e kritikëve është 61%./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.