Bizneset me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë nuk paguajnë TVSH/ Denaj: Amnistia fiskale, mundësi formalizimi

TIRANË, 29 qershor/ ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha sot gjatë një vizite në qytetin e Korçës se, vendimi i qeverisë përjashton bizneset e vogla me xhiro vjetore 14 milionë lekë nga pagesa e tatimfitimit dhe pragu i ri i TVSH-së rritet në 10 milionë lekë xhiro vjetore.

“Hyn në fuqi këtë vit që biznesi i vogël për 10 vitet e ardhshme nuk do të ketë tatimfitim dhe pragu i TVSH-së është rritur nga 2 milionë lekë xhiro vjetore në 10 milionë lekë xhiro në vit”, – tha Denaj për mediet.

Sipas saj, biznesi i vogël duke filluar prej këtij viti kur “bëmë shtyrjen e tatimfitimit dhe më tej deri në vitin 2029 nuk do të paguajë asnjë fitim për pushtetin qendror”.

Denaj ftoi të gjitha bizneset që amnistinë fiskale ta shfrytëzojnë si një mundësi për të arritur tek viti 0.

“Në 30 vite ekonomi të hapur, ne kemi pasur situata ku biznese të ndershme i kanë lejuar vetë vetes të krijojnë pasqyra financiare jo reale. Ashtu sikurse dhe sistemi i administratës tatimore ka lejuar këto gabime. Nuk po gjykojmë, por ne po themi që biznesi, ka të drejtën të ketë një falje, ku këto procese dhe biznese të cilat i kanë ndërtuar me një punë të ndershme t’i lehtësojmë nga kjo barrë e dy bilanceve, që sot nuk i ndihmon ata as të marrin kredi sovrane”, – deklaroi Denaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.