AMA shtyn deri më 30 shtator digjitalizimin në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë

TIRANË, 29 qershor /ATSH – I. Vata/ Autoriteti i Mediave Audiovizive vendos datën 30 shtator 2020 si afatin përfundimtar për digjitalizimin e transmetimeve analoge në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

AMA shprehet se “situata e krijuar nga pandemia e COVID-19, kur numri i të prekurve sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton të jetë në shifra të konsiderueshme, ka krijuar vështirësi në finalizimin e këtij procesi ndaj dhe marrja e masave për parandalimin e përhapjes së virusit vijon të mbetet prioritet”.

Anëtarët e Bordit të AMA-s në mbledhjen e tyre të ditës së sotme gjithashtu morën në shqyrtim edhe informacionet e mbledhura në terren nga të katër qarqet e mësipërme. Nga të dhënat e mbledhura në terren rezulton se disa aspekte kërkojnë ende kohë për finalizimin e procesit të digjitalizimit, përmes të cilit të përfitojnë të gjithë ndjekësit e përmbajtjeve audiovizive.

“Nga monitorimet e kryera rezulton se nuk ka përfunduar plotësisht infrastruktura e transmetimit. Janë instaluar pikat e transmetimit në bashkitë kryesore të këtyre qarqeve, por ndërkohë mbeten pa sinjal disa bashki të tjera. Një problematikë që u përmend ishte se në të katër këto qarqe, operatorët lokalë nuk kanë mbështetur programin e tyre në rrjetin e RTSH-së apo në ndonjë rrjet tjetër privat kombëtar numerik. Sa i takon procesit të pajisjes së qytetarëve me dekodera, ditët e fundit në adresë të AMA-s u paraqitën mjaft ankesa nga qytetarët lidhur me grumbullime të konsiderueshme blerësish pranë zyrave postare ose pikave të ndryshme të shitjeve. Ndaj dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar shtyrjen e fikjes së sinjalit analog”, shprehet AMA.

AMA në këtë vendimmarrje mban në konsideratë edhe kohën e cila përkon me sezonin turistik i cili është dëmtuar jo pak nga Pandemia.

Në përfundim, AMA duke konsideruar situatën e krijuar nga COVID-19, faktin që subjektet nuk kanë shtruar plotësisht infrastrukturën teknike, mosdëmtimin e sektorit të turizmit dhe me qëllim parandalimin e grumbullimeve të qytetarëve që stimulon përhapjen e virusit, ra dakord të shtyjë afatin e mbylljes së transmetimeve analoge në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, deri në datën 30 shtator 2020.

Kjo periudhë 3-mujore do të monitorohet në vijimësi nga AMA, për ta përmbyllur deri më 30 shtator 2020 kalimin e transmetimeve nga analog në digjital në qarqet Elbasan, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.