Agli Iliadhi: Futbolli gjithçka për mua, dua të jem shembull për të tjerët

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Agli Iliadhi ka 11 vite që luan futboll, fillimisht si amatore, ndërsa tani si profesioniste e klubit të Apolonisë ku aktivizohet rregullisht në çdo ndeshje.

Agli ka pasur një karrierë të shkëlqyer në fushën e sportit ajo nuk dëshiron ta lërë në sirtar.

Në një intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit “fshf.org” ajo tregon dëshirat, sakrificat dhe synimet që ka për të ardhmen.

Agli është pjesë e ekipit kombëtar për femra të U-17, ku shkëlqeu edhe me paraqitjen e saj në “UEFA DEVELOPMENT TOURNAMENT”, që u zhvillua në muajin shkurt të këtij viti në vendin tonë, ku Shqipëria doli në vendin e parë, duke fituar të tri ndeshjet. Ajo aktivizohet edhe me ekipin kombëtar të U-19.

E pyetur se si lindi dëshira dhe pasioni për futboll, ajo tha se, “dëshira ime për futbollin ka lindur që kur kam qenë e vogël, pra që në moshën 5-vjeçare. Në fillim stërvitesha me një grup djemsh në lagje dhe më pas ndjeja se si çdo ditë e më shumë luaja me më shumë pasion dhe kuptoja se sa shumë e doja këtë lojë”.

E pyetur se cili ishte njeriu i parë që e afroi me këtë sport dhe besoi tek ajo, Iliadhi u shpreh se, “babai im, ai ka qenë njeriu i parë që më ka afruar me futbollin. Duke qenë një njeri që vinte nga bota e sportit, pasi më parë ka luajtur dhe vetë futboll, ai ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua. Që në ditën e parë që kam prekur topin e futbollit me këmbë më ka dhënë besim që unë të vazhdoj e të luaj këtë lojë”.

E pyetur se si stërvitet, si punon ajo theksoi se, “që prej 3 vitesh unë jam futbolliste e ekipit të “Apolonisë” së Fierit, ku stërvitem fort dhe punoj fort, jo vetëm në stërvitje, ku jap maksimumin tim, por edhe individualisht punoj shumë. Pushimi për mua nuk ekziston, pasi kam një ëndërr për të realizuar”.

Pyetjes se cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin, ajo iu përgjigj se, “të them gjithçka nuk do ta besonit, por unë realisht kam sakrifikuar gjithçka për këtë lojë. Futbolli ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë i pari për mua”.

E pyetur se çfarë synimi ka për të ardhmen, ajo u shpreh se, “si çdo njeri tjetër, edhe unë kam synime për të ardhmen. Por për momentin i vetmi synim që kam është të kem një karrierë të ndritur në fushën e futbollit. Nuk dua të jem si të tjerët, dua të jem ndryshe. Dua që të më shohin dhe të thonë: “Shikojeni atë, bëhu si Agli”. Dua që këtë pasion ta kthej në profesion dhe të mos lodhem kurrë nga kjo që po bëj. Ëndrra ime është të arrij të luaj jashtë Shqipërisë, në ligat e mëdha europiane”.

E pyetur se cila është motoja je saj ose mesazhi për bashkëmoshatarët e saj, Iliadhi tha se, “unë jam ende e vogël për vete, por kam mësuar se nëse duam që të realizojmë ëndrrat tona, të vendosim paraprakisht qëllime. Pa qëllim nuk mund t’i realizojmë këto ëndrra. Pa punë dhe vullnet nuk mund të ecim përpara. Unë jam mërzitur shumë herë, por nuk kam ndaluar, sepse e di që gjërat e mira duan kohë që të vijnë”.

E pyetur se cili është idhulli i saj në kombëtaren ideale, ajo u përgjigj se, “idhulli im është babai im, Roland Iliadhi”.

/gj.mima//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.