62% e kryeqytetit furnizim me ujë të pijshëm 24 orë/ Veliaj: Do vazhdojmë derisa ta çojmë Tiranën 100%

TIRANË, 29 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot se 62% e kryeqytetit ka kaluar në furnizim 24 orë në ditë, do vazhdojmë derisa ta çojmë Tiranën 100%.

Këtë lajm të mirë për të gjithë banorët e kryeqytetit, Veliaj e dha nga Kombinati ku inspektoi punimet për rikonstruksionin e rrugës “Hamdi Cullaj”.

Veliaj theksoi se, “për herë të parë në këto 30 vite, falë investimeve të reja të bashkisë së Tiranës, 62 për qind e kryeqytetit ka kaluar në furnizim 24 ujë në ditë, ndërkohë që zonat e tjera kanë përmirësim të konsiderueshëm”.

Ai shtoi se dyfishimi i prurjeve nga Bovilla dhe dyfishimi i filtrimit kanë prodhuar një rezultat fantastik në terren.

“Me investimin e ri në Bovillë, që s’ishte bërë për 30 vitesh, kemi kaluar në 62% të Tiranës me 24 orë ujë. Dyfishimi i prurjeve në Bovillë dhe dyfishimi i filtrimit, na kanë prodhuar një rezultat fantastik në terren. Megjithatë, do të vazhdojmë testimet dhe më vjen mirë se zona që më përpara e mbulonte Kombinati, pra zona e Astirit dhe Yzberishtit, kanë një rritje të ndjeshme të furnizimit me ujë. Ende s’jemi në 24 orë ujë, por nga një herë në ditë me 2-3 orë, të shkosh në 14-15 orë, është si dita me natën. Fakti që banorët janë përgjigjur shumë pozitivisht, do të thotë se duhet të vazhdojmë derisa ta çojmë Tiranën 100%”, theksoi Veliaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.