VIDEO- Mbështetja nga IPARD/ Historia e dy vëllezërve Kazazi, si u ngrit brenda pak vitesh fabrika e përpunimit të mishit me standarde të larta e teknologji gjermane

TIRANË, 28 qershor /ATSH/- Nga aktiviteti si kasapë në një dyqan të vogël, tashmë kanë ngritur fabrikën e parë moderne të përpunimit të mishit në Kavajë. Kjo është historia e Vasip dhe Jeti Kazazi,  dy vëllezërve nga Kavaja, që e nisën aktivitetin e biznesit si kasapë në një dyqan të vogël, por që me mbështetjen financiare nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural dhe Programi për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural – IPARD like, investuan në pajisje dhe teknologji për modernizimin e proceseve në fermën blegtorale dhe ngritën fabrikë moderne të përpunimit të mishit.

Ekipi i ATSH-së vizitoi fabrikën Kazazi dhe u njoh nga afër me punën e vëllezërve sipërmarrës, investimet dhe përkushtimin e tyre për ngritjen e një biznesi model me teknologji të fjalës së fundit që garanton standarde të produktit nga ferma në tavolinë.

“Në fillim, kur dëgjonim thirrjet për mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit, nuk i besonim se do të merrnim gjysmën e investimit të parashikuar. Vetëm pasi bëmë një plan biznesi dhe e realizuam në kohë projektin arritëm të përfitonim grantin dhe sot mund të themi me plot gojën që nuk ishte një ëndërr, por realitet”- u shpreh Vasipi për ATSH-në.

Vëllezërit Kazazi pas nisjes së aktivitetit si kasapë, në vitin 2007 hapën një punishte më të zgjeruar me 14 punonjës. Që prej vitit 2014- 2015, me mbështetjen nga Skema Kombëtare, ata shtuan aktivitetin e tyre me fermën “Kazazi Farm”, në Dushk të Lushnjës. Sot, ata zotërojnë rreth 1 mijë krerë lopë e viça dhe e kanë shtuar numrin e të punësuarve në 110 punëtorë si dhe kanë rritur kapacitetet prodhuese.

Jeti Kakazi na tregon se, gjatë kohës së COVID-19, kompania e reduktoi pak kohën e punës por nuk e mbylli aktivitetin. “Punonjësit morën pagat normalisht në datën e caktuar dhe sot të gjithë punonjësit janë në punë dhe kompania prodhon me kapacitet të plotë”- thotë ai.

Vëllezërit Kazazi me eksperiencë të gjatë në sektorin e përpunimit të mishit nuk reshtin së guxuari.

Falë mbështetjes nga skemat financiare të qeverisë dhe IPARD sot ata kanë ngritur fabrikën e parë në vend, të projektuar sipas modelit dhe teknologjisë gjermane me standardet më të larta të prodhimit.

Fabrika Kakazi prodhon 74 lloje produktesh nga përpunimi i mishit dhe ka ngritur rrjetin e shpërndarjes së tregtimit në të gjithë Shqipërinë, me dominimin më të madh në Tiranë dhe Durrës.

“Dëshirojmë që të plotësojmë nevojat e tregut dhe të bëjmë investime të reja në këtë sektor për të kontribuar në uljen e importeve të mishit në vend dhe rritjen e punësimit dhe prodhimit cilësor”, shprehen ata. /j.p//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.