Taksa e sheshtë 9%/ Basha: Ja sa përfitojnë punonjësit e policisë, të shëndetësisë dhe arsimit

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se “me taksën e sheshtë 9% do të përfitojnë të gjithë të punësuarit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, dhe do të rritet fuqia blerëse e shqiptarëve”.

Basha reagoi ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, i cili u shpreh se “infermierët në spitale, nëse zbatohet taksa e sheshtë 9% e propozuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha, secili prej tyre do të marrë rreth 17,000 lekë më pak në muaj apo 210,000 lekë më pak në vit”.

Ndërkohë, Basha solli disa shembuj konkretë të përfitimeve të disa kategorive në sektorin publik nga taksa e sheshtë 9%.

Sipas tij, “plani ekonomi i PD-së me taksën e sheshtë 9% mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ruan fashën përjashtuese nga TAP për 30 mijë lekëshin e parë të të ardhurave, rrit fuqinë blerëse, nxit punësimin dhe inkurajon investitorët e brendshëm dhe të huaj”.

“Nëse paga është 40 mijë lekë të reja sot paguhet 13% ose 1300 lekë me PD-në nëse paga është 40 mijë lekë të reja do të paguhet 9 % ose 9 mijë lekë”, tha Basha.

Po ashtu, në një përllogaritje të pagës së 7 mijë punonjësve të Policisë së Shtetit me taksën e sheshtë 9%, çdo muaj do të paguajnë 1880 lekë më pak taksa.

“Edhe 23 mijë mësues në arsimin 9-vjeçar çdo muaj do të paguajnë 960 lekë më pak taksa; 7 mijë mësues në arsimin e mesëm do të paguajnë 1200 lekë më pak taksa; 6250 infermierë në spitale do të paguajnë 960 lekë më pak taksa; 6800 infermierë në qendrat shëndetësore do të paguajnë 620 lekë më pak taksa; 1500 sanitarë në spitale do të paguajnë 580 lekë më pak taksa; 500 shoferë të Urgjencës Kombëtare do të paguajnë 1460 lekë më pak taksa”, tha Basha./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.