Mjeku Harxhi mesazh qytetarëve: Sjellja individuale e rëndësishme në parandalimin e COVID-19

TIRANË, 28 qershor/ATSH/Nga ambientet e jashtme të spitalit Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku i njohur Arjan Harxhi ka apeluar për kujdes me qëllim parandalimin e COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e mjekut ndërsa ka theksuar se sjellja individuale është e rëndësishme në këtë periudhë pandemie që po kalojmë.

“Gjithësecili ka përgjegjësi e veta, përsa i përket kujdesit dhe parandalimit të COVID-19. Edhe sjellja individuale është shumë e rëndësishme. Ju lutem dëgjoni apelin e prof. Arjan Harxhit nga spitali infektiv. Me kujdes çdo ditë, e mundim”, shprehet Manastirliu.

Mjeku Harxhi thotë se pasojat e kujdesit apo moskujdesit tonë si individë, do të reflektohen në të ardhmen e afërt, të mesme apo qoftë edhe në atë afatgjatë.

“Me sëmundjet infektive është shumë e rëndësishme, dihet që çdo fushë ka përgjegjësitë e veta dhe duhet ta rishikojë këtë lloj pozicioni, përgjegjësitë që kanë institucionet shtetërore, që ka shoqëria, që ka individi sa i përket kujdesit të parandalimit por edhe për të parë sesi do të jetë pozicioni i secilit prej këtyre në të ardhmen e afërt, afatmesme dhe afatgjatë”, u shpreh Harxhi. z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.