FOTO/Aksion pastrimi në Llixhat e Urës Vajgurore, Klosi: Vitin që vjen, fond për vendgrumbullim mbetjesh për bashkitë e Beratit

TIRANË, 28 qershor/ATSH/Aksioni i pastrimit të qyteteve për mbarëvajtjen e sezonit turistik ka kulmuar në Llixhat e Urës Vajgurore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi apeloi për ndërgjegjësim dhe marrjen e përgjegjësisë nga të gjithë qytetarët për pastërtinë e ambienteve publike.

“Duhet të zgjidhim një herë e përgjithnjë çështjen e depozitimit të mbetjeve në shtretërit e lumenjve. Po punojmë që 5 bashkitë e Beratit të kenë një venddepozitim, në mënyrë që shtretërit e lumenjve të mos na kthehen në venddepozitim mbetjesh. Në projektbuxhetin e vitit që vjen po punojmë që të parashikojmë dhe një fond për një vendgrumbullim për bashkitë e Beratit”- tha Klosi.

Sipas tij aksi turistik i llixhave të Urës Vajgurore nuk pastrohen me një ditë, duhet kujdes i vazhdueshëm dhe mbi të gjitha mbeturinat të mos derdhen në lumenj.

Aksioni i pastrimit të qyteteve për mbarëvajtjen e sezonit turistik është një fushatë e cila do të shtrihet në 12 qarqe.

z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.