Modernizimi i transportit publik, Gonxhe: Formalizim i sektorit, rinovim i flotës dhe linjave deri tek bileta elektronike

TIRANË, 27 qershor/ATSH/- Nga muaji shtator transporti publik do të nisë formalizimin përmes sistemit e-transporti, më tej do të nisi puna për modernizimin e tij deri tek biletat elektronike.

Blendi Gonxhe, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, gjatë një interviste televizive nënvizoi se ka shumë ide për modernizimin e transportit rrugor, por më parë duhet të jetë gjithçka e formalizuar.

“Ideja kryesore është që gjithçka të formalizohet në mënyrë që të na mundësojë ne se si të dinim qartë, kë të ndihmonim dhe si, kë linjë, kë rrugë apo zonë e shtresë sociale, pasi shtresa të ndryshme siç mund të jenë të papunët,  studentët apo të moshuarit kanë nevojë për paketa të ndryshme. Por, kjo nuk arrihet dot nëse ne nuk kemi sisteme monitorimi të plota dhe biletë elektronike”,- tha Gonxhe.

“Do zgjidhet formalizimi i fiskalizimit, më pas do kalojmë te flota. Për rinovimin e flotës që është në përdorim, kjo mund të jetë me module publike apo private. Kjo mund të bëhet me skema të ndryshme që mbështesin linja të ndryshme, të tipit për shembull ne kemi interes dhe ka më prioritet që transporti Rinas-Tiranë dhe anasjelltas të ketë transport cilësor me fluks më të lartë, ndryshe nga një zonë tjetër. Të gjitha këto bëjnë që të kemi kategori të ndryshme çmimesh dhe pagesash. Mund të kemi skema pagese me kilometra, me incentivë, dhe këto do mundësohen më kollaj përmes krijimit të një sistemi që ne e kemi imagjinuar deri tani dhe konceptuar si e-transporti, por që për shkak të tërmetit apo pandemisë jemi penguar”,- tha drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor.

“Kemi diskutuar me të gjithë aktorët e interesuar, janë parë të gjitha gabimet dhe mbivendosjet dhe militantizimin e licencimit. Siç kemi pasur asfalt elektoral kemi pasur edhe licenca elektorale, kemi pasur edhe linja elektorale, kemi pasur edhe feude, kemi zona me feud të cilët thonë që terminali është i imi, transporti i imi, ti kalo nga mali unë nga tuneli. Licenca hajt ta marrim një herë se pastaj do të shoh se si do të bëj. Edhe ata duhet ta kuptojnë që kjo ka për të qenë një situatë që në radhë të parë, gabimi ka qenë i tyre sepse kanë marrë një licencë që nuk sjell leverdi dhe pa leverdi ekonomike nuk ka shërbim cilësor. Ne do mundohemi t’i zgjidhim këto  gjëra përmes e-transportit, dhëntë zoti e kushtet. Ne kemi bërë pjesën e parë, sistemi është buxhetuar dhe është në procedurë dhe do ketë pajisjet e para, si një platformë operative do të dalë. Por kjo s’do të thotë që transporti zgjidhet me sistemin, por do duhet një gjashtëmujor kohë për të futur të dhënat, linjat dhe gjithashtu duhet parë nëse do kemi normalitet në Shqipëri, duhet parë vjeshta, infeksionet…etj.”,- tha Gonxhe.

“Sot po punohet për herë të parë me disa plane njëkohësisht. Nuk po punohet që të bëhet një gjë që të mos njohë mundin djersën që shumë operatorë kanë hedhur ndër vite, por që të ketë gjithëpërfshirje, që të mos ketë mbivendosje dhe të ketë kooperativizim në kuptimin e mirë të fjalës, në mënyrë që të ulim kostot. Sa më pak administratë të panevojshme, aq më shumë cilësi e të punësuar në terren, si dhe siguri për pasagjerin. Qëllimi është të mos ketë rritje çmimi, edhe nëse ka rritje kostosh për shkak të cilësisë ne do ta rimbursojmë pjesën e kostos, por përmes një sistemi, jo përmes shokut, partisë..etj”, u shpreh ai.

“Kjo nuk realizohet nëse sistemi nuk është transparent, dhe po nuk u monitorua, me kontrollues si tahograf, GPS, kamera në autobus, biletat në pajisje elektronike, disa vende mund ta presësh vetë për të hequr kontaktin fizik. Ne nuk shkojmë dot drejt pajisjeve elektronike, pasi ka fshatra që se kanë këtë mundësi. Gabimet që kemi bërë s’na i kanë bërë marsianët, i kemi bërë ne, linjat e mbivendosura, feudët, edhe që si kemi dhënë shtetit paratë që duhet t’i jepnim dhe kur duam nga shteti paratë, kemi dalë zbuluar, se si kemi dhënë gjë”,- tha Gonxhe. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.