Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesat 3 shtetasve të dënuar më parë

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur sot kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 3 shtetasve me precedentë penalë.

Kështu OFL i ka nisur kërkesën me shkrim shtetasit M. M., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Gjithashtu OFL i ka nisur kërkesën me shkrim shtetasit I. D., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.

Po ashtu, OFL i ka nisur kërkesën me shkrim shtetasit E. D., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL bën të ditur se, është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL gjithashtu do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.