“Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore do ta votojmë në parlament”/ Balla: Listat e hapura nuk janë tabu

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Duke respektuar një për një masat mbrojtëse antiCOVID, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla vijoi në qarkun e Tiranës me Këshillin Koordinativ të Partisë Socialiste me fokus në planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore, përfshirjen e të rinjve për zgjedhjet e prill-majit 2021.

Ndërsa shprehu besimin se zgjedhjet e ardhshme do t’u japin socialistëve një mandat të tretë qeverisës, Balla tha se “marrëveshja me opozitën joparlamentare mbi Kodin Zgjedhor, është një marrëveshje që ka krijuar kushtet pozitive në raport me klimën politike dhe ne do ta votojmë atë në Kuvend.

Marrëveshja është marrëveshje dhe ne do ta respektojmë, duke vlerësuar edhe angazhimin, plus mundimin e partnerëve tanë. Partia Socialiste gjithmonë i ka respektuar marrëveshjet, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për të mos ndryshuar asgjë nga mënyra e administrimit të zgjedhjeve. Opozita jashtëparlamentare ndërkohë duhet të heqë dorë nga fyerjet ndaj deputetëve të listave të tyre të mbyllura në Kuvend dhe gjithashtu ta harrojnë se mund t’i imponojnë Kuvendit se çfarë do diskutohet në seancë, apo në komisione”.

Lidhur me propozimet e opozitës parlamentare për sistemin zgjedhor, Balla u shpreh se “si kusht për të arritur me ta një mirëkuptim, për të votuar, kjo është temë tjetër. Është fakt që shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk e pëlqejnë marrëveshjen për Kodin dhe, as nuk i duan listat e mbyllura. Hapja e listave për ne nuk është aspak tabu. Prandaj ne do të ulemi me opozitën parlamentare për të diskutuar mbi këtë çështje”.  z.tosku/r.e//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.