Krahasim si nata me ditën me para 5 viteve/ U përgjysmua raporti import-eksport në Bujqësi dhe u dyfishua prodhimi vendas

TIRANË, 26 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lushnjë, ku pa nga afër punimet që janë kryer në veprën madhore të ujitjes, nga rindërtimi i rezervuarit të Thanës, më i madhi në dispozicion të bujqësisë në rajon, te ndërtimi i 44 kilometrave kanale kryesore që deri dje ishin vija uji nëpër plehra e kallamishte dhe 167 kilometrave kanale sekondare që kishin humbur rrugëve, duke garantuar ujitjen e çdo parcele në një hapësirë prodhuese prej 12 mijë hektarësh.

Rama tha se “kush e sheh bujqësinë nga kanalet e portalet e Tiranës, nuk mund ta ketë dot idenë e revolucionit që po bëhet me bazën prodhuese të ushqimit në vend, ndërsa për këdo që e sheh nga afër zhvillimin e këtij revolucioni, është e qartë se krahasimi i para 5 viteve me sot, i ngjan pa asnjë mëdyshje krahasimit të natës me ditën”.

“Dy fakte kokëforta: Sot kemi përgjysmuar raportin import-eksport krahasuar me ditën kur morëm detyrën, dhe kemi dyfishuar prodhimin bujqësor vendas në tregun e brendshëm”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “patjetër që ka ende plot probleme për të zgjidhur dhe punë për të bërë që të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj toke të bekuar, por sot mund ta themi me plot gojën se kemi bërë për bujqësinë në këto vite më shumë sesa në tërë vitet e mëparshme të marra së bashku, dhe ky është fakt, jo opinion”.

Ndërsa ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi tha se “kjo është një nga veprat më të mëdha që ka projektuar qeveria shqiptare gjatë gjithë kohës”.

“Kemi rehabilituar dy sistemet që dalin nga sistemi i Thanës. Gjithsej janë rreth 44 km kanal parësor dhe 167 km kanale dytësore. Është një investim prej 15 milionë dollarësh që do ta bëjë qeveria shqiptare përmes një kredie të BB. Një punë kolosale”, tha ai.

Duke folur për investimet në bujqësi, Rama tha se “këto janë gjëra që nuk duken. Nuk janë si bulevardet dhe parqet e Lali Erit, por janë gjëra që kanë një rëndësi strategjike dhe faktikisht në kushtet e sotme, çka bëhet për mirë bën lajm me shumë vështirësi, por nëse i marrim me radhë sektorët, sektori më i keqlajmëruar nga mediet në Tiranë është bujqësia. Probleme ka sa të duash, ka momente frustrimi, por ama realisht me fakte, po të shohësh  eksportet dhe ndryshimin e deficitit tregtar në raport me import-eksport, po të shohësh sot sa produkt vendas shkon në treg dhe shtëpi në krahasim me produktin e importuar bujqësor është dyfishi. Është një gjë për të cilën unë jam realisht krenar që e kemi bërë”.

Ai tha se “kush nuk e njeh fshatin, apo e njeh vetëm përmes lajmeve mendon se në fshat njerëzit vuajnë për bukë dhe nuk kanë punë”.

“Këtu jo vetëm prodhohet buka e përditshme e kujtdo që jeton në fshat, por këtu bëhet ekonomi kombëtare. Jemi në kushtet kur realisht mund t’i shkojmë njerëzve e t’u themi se shumë gjëra ka për t’u bërë patjetër, pot ama po të kthesh kokën nuk ka krahasim. Kjo para disa vitesh ishte llahtar”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ky është revolucioni i dytë në kuptimin e zgjerimit të sasisë të tokës që prodhon. Po të bëjmë një llogari, sa tokë punohej para 5 vitesh dhe sa tani del se kemi 1800 ha serra, ndërsa kishim 600 ha. Kemi trefishin dhe jo me 7 X 7 = 42. Është kapërcim epokal”.

Duke folur për financimin e qeverisë në bujqësi, Kryeministri tha se “po të marrim të kombinuar buxhetin, plus aksesin që e kemi garantuar ne në paratë e Europës, e cila i ka paratë, por nuk të jep po nuk i çove projektin, po t’i marrim të dyja bashkë nuk ka të krahasuar financimi i bujqësisë. Është kapërcim epokal dhe jemi sot të parët. Ishim jo të fundit, por nuk ekzistonim në aksesin e financimeve në BE. Sot jemi të parët në rajon deri tani për thithje të fondit, falë faktit që edhe fermerët kanë filluar të kuptojnë se ku është drejtimi”.

Ai vlerësoi po ashtu interesin e fermerëve në Skemën Kombëtare ku aplikuan online 7500 fermerë për dy ditë. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.