FRANCË – Rifillojnë fluturimet nga aeroporti ”Paris-Orly”

ORLI, 26 qershor /ATSH-AFP/ – Aeroporti ”Paris-Orly” rinisi sot punën me fluturimin e parë me destinacion Portugalinë, pas rreth tre muajve ndërprerje për shkak të bllokimit të transportit ajror si pasojë e pandemisë.

Një avion i kompanisë me kosto të ulët “Transavia” u ngrit në orën 06:25 duke shënuar rikthimin në qiell të fluturimeve tregtare të aeroportit në jug të Parisit, i cili ishte mbyllur më 31 mars në mbrëmje.

Për gati tre muaj, të gjitha fluturimet tregtare që niseshin nga kryeqyteti ishin rigrupuar në ”Paris-Charles de Gaulle”, aeroporti i parë parizian i vendosur në veri të qytetit, për të racionalizuar kostot e operimit.

Rifillimi i trafikut do të jetë shumë i ngadaltë.

Sot në Orli janë parashikuar rreth 70 avionë nga një mesatare prej 600 në kohë normale.

Rreth 8 000 pasagjerë priten sot, më pak se 10% e trafikut të zakonshëm prej 90 000 pasagjerësh në ditë mesatarisht në këtë aeroport.//ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.