Cakaj në Shtëpinë e Bardhë, takon Grenell: Nuk ka marrëveshje për ndarje të Kosovës

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj është pritur sot në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, nga i Dërguari Special i Presidentit Trump për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ambasadori Richard Grenell.

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

“Për sqarim: S’ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Republikës së Kosovës, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veç përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik e forcuar popullin e Republikës së Kosovës ndërkombëtarisht me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Cakaj sa i përket takimit të zhvilluar.

Cakaj shprehu gjithashtu bindjen se pavarësisht sfidave, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës.

z.tosku//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.