BERLIN – Gjermania, Franca dhe Italia thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Libi

BERLIN, 26 qershor /ATSH-AA/ – Gjermania, Franca dhe Italia u kanë bërë thirrje palëve ndërluftuese në Libi që “menjëherë dhe pa kushte” të ndërpresin luftimet dhe të përfshihen në bisedime për një marrëveshje të qëndrueshme dhe të besueshme të armëpushimit.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar mbrëmë, tre vendet anëtare të BE-së shprehën shqetësimin për rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë rajonale pas kërcënimeve të fundit për ndërhyrje nga Abdel Fattah al-Sisi, presidenti i Egjiptit fqinj.

“Duke pasur parasysh rreziqet në rritje për përkeqësimin e situatës në Libi dhe përshkallëzimit rajonal, Franca, Gjermania dhe Italia u bëjnë thirrje të gjitha palëve libiane që menjëherë dhe pa kushte të pushojnë së luftuari dhe të pezullojnë grumbullimin e vazhdueshëm ushtarak në të gjithë vendin”, theksohet në deklaratë.

Deklarata vjen pas kërcënimit të javës së kaluar nga al-Sisi, që është mbështetës kryesor i komandantit renegat Khalifa Haftar, për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi.

Qeveria e Libisë e njohur nga OKB kritikoi komentet “e papranueshme” të al-Sisit, duke thënë se ato janë “një deklaratë lufte”.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, Gjermania, Franca dhe Italia u bënë thirrje të gjithë aktorëve të huaj që t’i japin fund çdo ndërhyrjeje dhe të respektojnë plotësisht embargon e armëve të Këshillit të Sigurimit të OKB.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.