“Serbia u bombardua nga bota demokratike, jo nga Thaçi dhe Veseli”/ Në Kosovë odiseja e drejtësisë ndërkombëtare prej 21 vitesh, në Serbi për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës zero

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në Kosovë odiseja e drejtësisë ndërkombëtare vazhdon prej 21 vitesh, ndërsa në Serbi, veçanërisht për krimet në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës është zero”.

Një ditë pas njoftimit mbi aktakuzën ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, Rama u shpreh se pas 21 vitesh del një tekst që në mënyrë sa implicite, aq dhe haptazi e indinjuese vë një shenjë barazimi përfundimtare në raport me një proces të tërë, mes viktimës e xhelatit.

Madje, tha ai,nëse dikujt, që do të rrudhë buzët kudo qoftë, në çdo kryeqytet të botës fjala shenjë barazimi do ti duket e tepërt, po i them e butë, sepse nuk është vendosur një shenjë barazimi por është përmbysur komplet peshorja, mes viktimës dhe xhelatit të luftës së Kosovës.

Sipas Kryeministrit Rama, “pasqyra e luftës së fundit në Kosovës është sa domethënëse aq edhe kuptimplotë në sfondin e tekstit të mbrëmshëm”.

Rama tha se një ndërmarrje barbarie shtetërore e orkestruar nga Sllobodan Millosheviç dhe rrethi i tij vrau 10 mijë civil të pafajshëm, dhunoi 20 mijë gra të pambrojtura dhe nxori me dhunë ushtarake dhe paraushtarake 1 milionë shqiptarë nga Kosova, brenda pak javësh, pa llogaritur dëmet psikologjike e materiale, mbi një popull të tërë”.

“Tani që flasim, bëhet fjalë për një njoftim për rreth 100 viktima. Si mund të jetë një njoftim ku bëhet fjalë për të paralajmëruar një aktakuzë për dy udhëheqës të një lufte botërisht të njohur si çlirimtare dhe një lufte të botës së civilizuar me barbarinë e Beogradit dhe flitet me rreth 100 viktima. Në të njëjtën kohë që shkruhet kjo, në nëntokën e Serbisë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi e në këmbim të kërkesës për drejtësi të marrin nga mbitoka e botës demokratike vetëm heshtjen e injorimit mijëra trupa të pajetë shqiptarësh për të cilët, unë nuk e di, e këtu kërkoj ndjesë se mbase kam mungesë dijenie, të ketë pasur apo të ketë një proces apo ndonjë njoftim për ndonjë proces për aktakuzë, sepse nuk ka në fakt, jo njoftim, por asnjë lloj tendence në horizont për gjykatë special“, deklaroi Kryeministri.

“Është e pashmangshme të mos kujtohen historitë e mizorive të kryera ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe pashmangshmërisht bashkë me to historia e drejtësisë së munguar historike në Serbi, nuk kalohet me deklarata”, tha ai.

“Këtu”, u shpreh Rama, “nuk është fjala për të dalë kundër drejtësisë. Këtu është fjala për të thënë të vërtetën e thjeshtë, kumbuese”.

“Në fund të ditës këto foltore e karrige prej druri, nuk kanë asnjë vlerë, ka vlerë sa përdoren për të thënë të vërtetën, e cila në momente të caktuara mund të mos u vij përshtat shumë miqve të mirë e të mëdhenj, më vjen keq për ta, në këtë rast”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.

Më tej, Rama tha se “është e vërtetë që një numër i madh krimesh të kryera prej disa udhëheqësve serbomëdhenj në luftërat e Jugosllavisë është dënuar në Triblunalin e Hagës, por ama, po të shohësh në pasqyrë Gjykatat vendore të Kosovës dhe ato të Serbisë, lexon faktin e trishtueshëm ku duket se në Kosovë është lëshuar ofensiva e agresionit dhe në Serbi janë thjeshtë viktima të agresionit, pasi nëse në Kosovë odiseja e drejtësisë ndërkombëtare vazhdon prej 21 vitesh, në Serbi, veçanërisht për krimet në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës është zero turpëruese, si një nishan në fytyrën e të gjithë atyre që me shumë të drejtë kërkojnë drejtësi deri në fund për çfarëdo qoftë ka cënuar parimet e së drejtës në anën e luftëtarëve të lirisë, por nuk i kam pare, jo të revoltohen po as të kërkojnë të paktën të njëjtën gjë në anën e rrethit të agresorëve me në krye Sllobodan Millosheviç, por jo vetëm atë”.

Madje, u shpreh Rama, një proces gradual rehabilitimi e një proces gradual e gjithmonë e më i gjithë pranuar botërisht viktimizimi vazhdon me sukses, dua të them për fatin e keq dhe për përgjegjësinë të anës sonë.

“Vetëm t’i numërosh gjykatat vendore në Kosovën e pas çlirimit dhe rastet e hetuara e rihetuara në territorin e Kosovës me mbështetjen e pandërprerë të autoriteteve shqiptare të Kosovës lodhesh, po në Serbi? Zero. Vetëm t’i numërosh deklaratat e proklamatat ndërkombëtare të pas luftës çlirimtare për nevojën e krijimit të gjykatës së re të radhës dhe të shqyrtimit të drejtë e pavarur të çështjes së radhës së re të komandantit të radhës të gjykuar më parë, pse ka qenë në radhët e UÇK, lodhesh. Po lodhu sa të duash dhe zor se do të gjesh shumë për të mos thënë zero deklarata në adresë të Serbisë të pas bombardimit ndëshkimor. Është një epokë me dy kahje, në Kosovë është pas çlirimi, në Serbi është pas bombardimi dhe Serbinë nuk e bombardoi Hashim Thaçi me Kadri Veselin, e bombardoi bota demokratike”, deklaroi Kryeministri Rama.

Dhe Serbia, shtoi ai, nuk ishte viktimë, ishte agresori dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj u rebeluan karshi agresorit në emër të viktimave.
“Ky është fakt”, u shpreh Rama.

Rama tha se ndjente keqardhje kur lexonte njerëz me zë të fortë në mjedisin publik që me thënë të drejtën se nuk e fshehin dot se edhe u vjen mirë për këtë që ndodhin dhe menjëherë flasin për pafajësi të ushtrisë së Kosovës.

“Kush mund të flasë dhe pse duhet të flasë për pastërtinë e ushtrisë së Kosovës, kur këtu flitet konkretisht, për ata, pa të cilët sot Kosova s’do të kishte, jo luksin kur do të bëhen zgjedhje e kush do të qeverisë, por do të vazhdonte të kishte mbi kokë kush e di se kë”, tha Rama.

Unë, vijoi Kryeministri, “nuk flas për këtë, sepse ajo është e vetëkuptueshme është natyrale dhe nëse flas për të, kam frikë që me të drejtë shumë kush mund të thotë se po i shmanget asaj për të cilin duhet folur, ashtu sikundër do ta bëj shumë të qartë nuk kam fare tundimin e jo më dëshirën të flas kundër çfarëdo hetimi të mundshëm kundër çfarëdo krimi të kryer në emër të UÇK, sepse edhe kjo do të ishte e padrejtë”, u shpreh Kryeministri.

Për sa më takon dhe sa na takon të gjithëve si shqiptar, u shpreh Rama, Kosova ka dhënë një shembull aq të veçantë për gatishmërinë në marrëdhëniet me drejtësinë ndërkombëtare.

“Dhe lexon flet rrufenë dhe thua për çfarë flitet, lajmërohet një proces i drejtë gjyqësor ndërkombëtarisht apo thjeshtë dhunohet publikisht e drejta. E paskan parë përpjekjen e Thaçit e Veselit për të mos lejuar këtë Gjykatë. Unë jam dëshmitar, së bashku me Hashim Thaçin, Isa Mustafën e të tjerë ku është folur për domosdoshmërinë e votimit të kësaj instance dhe faktikisht vullneti i tyre ka qenë i plotë dhe i vetmi shqetësim ka qenë si të bindim të gjithë grupet pasi çdo lloj mosbindje do të binte mbi ta siç me sa duket fatkeqësisht kujtohet ende sot”, deklaroi Rama.

Por, vijoi ai, ajo që ka rëndësi shumë të thuhet është se qysh prej fillimit 21 vjet drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka hetuar thellësisht, gjerësisht, largësisht çdo bëmë të UÇK-së

“ Unë jam dëshmitar se sa është bërë dhe se si është marrë pjesë me vullnet të plotë duke vënë në dispozicion të gjitha për të gjetur shtëpinë e verdhë, e cila nuk ekziston të paktën deri sot nuk ka asnjë provë të ekzistencës së saj dhe këtë nuk e them unë, por e thonë institucionet shqiptare e ndërkombëtare që kanë marrë pjesë në atë kërkim të gjatë pas leximit të raportit të gjatë”, tha Rama.

Sipas tij,” është realitet institucional i dokumentuar në miliona faqe fashikujsh hetimorë e gjyqësore që prej qershorit të ’99-ë, kur tanket e NATO-s u futën në Kosovë, në ditën e madhe, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga drejtësia e UNMIK nga EULEX, drejtësia e Tribunalit të Hagës si një mekanizëm i posaçëm ndërkombëtar për hetimin e krimeve të luftës në Serbi, nga Gjykatat e përziera panele vendore e ndërkombëtare edhe nga vet Gjykatat e Kosovës”.

/a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.