Raporti vjetor në Kuvend/ Ibrahimi: Vetingu permanent, sistemi me mekanizma të sprovuar për të ndaluar bjerrjen e standardeve

TIRANË, 25 qershor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi në prezantimin e raportit vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2019 në Kuvend, tha se KLP vepron në kushtet e një transparence të plotë.

Imbrahimi tha se “reforma e vitit 2016 e themeloi Këshillin e Lartë si një institucion të pavarur në nivel kushtetues me përgjegjësi ekskluzive ne fushën e statusit të prokurorëve, përgjegjësi janë të tilla që shtrihen mbi gjithë ciklin e jetës profesionale të prokurorëve duke filluar me pranimin e kandidatëve për prokuror në shkollën e magjistraturës, duke vijuar me emërimin e prokurorëve të rinj, transferimin, ngritje në detyrë. Kemi një dallim me Këshillin e Lartë të prokurorisë që është edhe administrator i gjykatësve, për sa i takon administrimit të prokurorisë i është besuar Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa administrim i karierave të prokurorëve i është besuar KLP”.

Në vijim, Ibrahimi tha se “natyrisht këto vendime që kanë të bëjnë me jetën profesionale të prokurorëve janë faktor kyç për caktimin e pavarësisë së tyre dhe si të tilla nuk mund të jenë kurrë sesi arbitrare. Ky set kompetencash në të kaluarën ushtrohej nga një person i vetëm, sot i është besuar këshillit sepse këshillit është një organ i zgjedhur në mënyrë meritokratike, profesionale dhe të depolitizuar që ka përbërje të tillë 8 prokurorë nga njëra anë dhe 6 nga ana tjetër, që mundëson balancimin interesat e prokurorëve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Po kështu këshilli vepron në kushte e një transparence të plotë, agjendat tona bëhën publike para ditës së mbledhjes, gjithçka që thuhet behet publike onlinë dhe për pasojë mund të themi me siguri se mënyra sesi janë ushtruar këto kompetenca të sotme në krahasim me të shkuarën dallon siç dallon nata me ditën. Kjo është një mënyrë e zgjuar që mundëson realizimin në një kohë shumë të shkurtër të disa qëllimeve. Nga njëra anë 8 prokurorët përfshihen në mënyrë të efektshme në vetëqeverisjen e sistemit ku ata shërbejnë gjatë gjithë jetës së tyre profesionale, nga ana tjetër Kuvendi përmes përfaqësuesve të tij në këshilli bashkëqeveris sistemin e drejtësisë në emër dhe për llogari të shoqërisë”.

Ibrahimi shtoi se “një nga merita e këtij sistemi është depolitizimi i anëtarëve jo prokuror si unë falë një procesi përzgjedhës meritokratik dhe të depolitizuar që zhvillohet në radhët e avokatëve pedagogëve shoqërisë civile dhe kjo bënë të mundur se njerëz si unë të mos mbajnë vulën e politikës.”

Po ashtu Ibrahimi e vuri theksin te krijimi i dy institucioneve të rëndësishme.

“Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë viti 2019 veprimtaria jonë është shenjuar nga dy gjëra, nga themelimi i Prokurorisë së Posaçme dhe nga zgjedhja e Prokurorit të përgjithshëm. E vërteta është se këto procese morën më shumë se gjithçka tjetër vëmendjen e këshillit. Ne jemi krenarë për këto dy drejtime, por veprimtaria ka qenë e gjerë dhe e thellë”.

Ai shtoi se kemi krijuar një Veting të posaçëm për prokurorët krahas Vetingut të përkohshëm.

“Do të veçoja faktin se gjatë vitit që shkoi kemi themeluar një sistem të vetingut permanent të prokurorit. Në kuadër të kësaj procedure të vetingut permanent të prokurorëve ne korrespondojmë me 45 institucione dhe zyra të ndryshme, në një përpjekje për të verifikuar figurën dhe pasurinë e prokurorëve në fazat e tyre. Kështu krahas atij vetingu  të jashtëzakonshëm e të përkohshëm që është duke u zhvilluar nga institucionet e vetingut ne japim garancinë se dhe kur ky veting i jashtëzakonshëm të përfundojë sistemi do këtë mekanizma të sprovuara për të ndaluar bjerrjen e standardeve të lartpërmendura në të ardhmen”, tha ai./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.