Liberalizimi i vizave dhe integrimi europian i Kosovës/Hoti takime në Bruksel me McAllister dhe Michel

PRISHTINË, 25 qershor/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ndodhet për një vizitë zyrtare në Bruksel, ku takimin e parë e ka zhvilluar me Kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, me të cilin bisedoi për procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit europian të Kosovës.

Po ashtu, Kryeministri Hoti gjatë takimit ka biseduar për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit politike, me ç’rast ka shprehur orientimin properëndimor të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Hoti me këtë rast ka thënë se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në avancimin e proceseve demokratike në vend, thellimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, në funksion të proceseve integruese europiane.

Gjithashtu, Hoti zhvilloi një takim edhe me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

Gjatë takimit, kryeministri Hoti e ka njoftuar për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, siç është procesi i liberalizimit të vizave, menaxhimi i pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

Kryeministri Hoti theksoi se liberalizimi i vizave mbetet ndër çështjet më urgjente në raport me Bashkimin Europian. Më tej, kryeministri Hoti vlerësoi se për Qeverinë e Kosovës përmbyllja e këtij kapitulli është shumë e rëndësishme, në mënyrë që qytetarët e Kosovës, sikurse edhe fqinjët e tyre, të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.