FOTO/ Dekorohen me “Medaljen e Nderit” dy përfaqësues të ambasadës së SHBA-së

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dekoroi sot me “Medaljen e Nderit” dy përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, Janet Meyer, shefe e Zyrës Rajonale të Sigurimit dhe Antonio Zamudio, agjent special i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë, Zyra e Hetimeve Kriminale Jashtë SHBA-ve, pranë Ambasadës amerikane në Tiranë.

Këto medalje iu dhanë Meyer dhe Zamuido për kontributin e tyre në mbështetje të agjencive ligjzbatuese shqiptare, veçanërisht Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit e fenomeneve të tjera kriminale.

Në ceremoninë e zhvilluar në sheshin e Murit të Yjeve, pranë Ministrisë së Brendshme, mori pjesë ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, zv.ministrat e Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Shqipëri.

“Jemi mbledhur sot këtu në këtë vend me domethënie të veçantë për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e Shtetit, është pikërisht vendi ku ne nderojmë 224 dëshmorët e Policisë së Shtetit, ata njerëz të cilët i kanë dhënë Shqipërisë jetën e tyre, i kanë dhënë Policisë së Shtetit mesazhin më të madh, i kanë dhënë asaj edhe orientimin se si duhet të angazhohet për të kryer misionin. Kemi zgjedhur pikërisht këtë vend, ndonëse me pak njerëz, për arsye të pandemisë, për të nderuar edhe dy përfaqësues të SHBA, të cilët prej vitesh punojnë së bashku me Policinë e Shtetit shqiptar, në shërbim të shtetit të tyre, SHBA-së, por edhe në shërbim të partneritetit tonë, të Aleancës tonë, në funksion të sigurisë tonë dhe të Aleancës”, tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj u shpreh se “kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është tashmë i njohur dhe nuk është e tepërt asnjëherë për ta përsëritur, për të thënë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati tradicional i shqiptarëve. Ata që kanë ndihmuar në lindjen, në krijimin, konsolidimin dhe më në fund të demokratizimin e shtetit shqiptar. Do të mbeten edhe në të ardhmen e përherë, për arsye të interesave të mëdha strategjike të përbashkëta, krahu ynë mbështetësi ynë më i madh, por edhe orientimi edhe inspirimi ynë më i madh për një Shqipëri më të mirë dhe demokratike”.

“Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, organet e tjera ligjzbatuese në këtë vend janë të angazhuara në një sfidë të madhe për të përmirësuar parametrat e sigurisë, për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Europë, në mënyrë që të kompletojmë kështu integrimin euroatlantik të saj”, – tha Lleshaj.

Ndërsa ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, u shpreh se, “Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare për aleancën që kanë lidhur me shtetin shqiptar. Dëshiroj të veçoj Policinë e Shtetit shqiptar për mbështetje të vazhdueshme të prioriteteve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, veçanërisht për punë e tyre me Zyrën Rajonale të Sigurisë, për të mbajtur Ambasadën tonë të pa rrezikuar dhe të sigurt. Puna juaj është thelbësore, vlerësohet shumë, pavarësisht se mund të jetë e padukshme në shumë mënyra”.

“Gjithashtu dua t’ju nxis në përpjekjet tuaja që keni bërë kohët e fundit për të luftuar krimin e organizuar dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Pavarësisht ngarkesës së shtuar kohët e fundit për shkak të pandemisë së koronës, ju keni vazhduar të shkoni përpara me hetimet penale dhe policinë”, – tha Kim.

Ambasadorja amerikane  u shpreh se “ndërsa ndihmoni në përpjekjet tona ligjzbatuese shpresojmë që bashkëpunimi i ngushtë mes zyrtarëve ligjzbatues të SHBA, me zyrtarët tuaj, të nxjerrë në pah trajnimin dhe teknikat tuaja hetimore. Operacionet tona të përbashkëta kanë prodhuar një sukses të jashtëzakonshëm. Veçanërisht vlen të përmendet, ndihma, mbështetja që është dhënë nga Njësia e posaçme e Policisë së Shtetit shqiptar”.

Policia e Shtetit, vijoi ajo,  ka ndihmuar në kthime të shumta të personave të arratisur nga drejtësia, si edhe hetime të tjera të SHBA që përfshijnë shqiptarë.

“Le t’i sigurojmë procedim të suksesshëm penal të këtyre rasteve, në mënyrë që kriminelët të përballen me drejtësinë. Ndërsa Janet dhe Antonio do të largohen këtë verë, shpresoj që ju do të vazhdoni me të njëjtën formë bashkëpunimi me personat që do të pasojnë”, – u shpreh Kim./k.s//a.a/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.