“Situata mbetet nën kontroll”/ Rakacolli: Kishim llogaritur më pak raste ditore, jemi akoma në kohë nëse respektohen protokollet

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherazi edhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli komentoi situatën aktuale të COVID-19 për të cilën u shpreh se ndonëse numrat e të infektuarve i kanë kaluar parashikimet, situata mbetet e kontrolluar.

Në një intervistë televizive, Rakacolli u shpreh se “shtimi i rasteve pas hapjes është një moment i pritshëm në të gjitha llojet e strategjive”.

“Problemi është gjithmonë sasia. Me thënë të drejtën, në pritshmëritë tona kishim llogaritur më pak raste ditore dhe më pak ngjarje por gjithsesi vazhdojmë të jemi te numrat e pritshëm. Situatën e quajmë të kontrolluar, për momentin jo të një niveli me një rrezikshmëri shumë të lartë. Puna është se nëse vazhdojmë kështu, nëse vazhdojmë me këtë trend, nuk e di nëse do të arrijmë ato nivele që janë me rrezikshmëri tepër të lartë. Që të mos arrijmë këtë, jemi akoma në kohë që të zbatojmë ato rregulla të mbrojtjes nga infeksioni të cilat aq mirë dhe aq me përgjegjshmëri i zbatuam në fazën e parë të sëmundjes, atëherë kur ishim më të frikësuar”, u shpreh Rakacolli.

Sipas saj, infektimi i bluzave të bardha nga koronavirusi është fenomen në çdo vend të botës ndërsa theksoi se për fat të mirë, asnjë person pjesë e personelit shëndetësor nuk ka humbur jetën nga COVID-19.

“Infektimi i bluzave të bardha është një fenomen që ndodh në çfarëdolloj epidemie. Kjo është edhe arsyeja që u përshëndetën me duartrokitje emocionuese. Plagosje të bluzave të bardha ka pasur në të gjitha vendet e botës, ka pasur në të gjitha institucionet shtetërore sado me emër dhe të fuqishme të ishin ato dhe fatkeqësisht ka pasur edhe të vdekur. Në Shqipëri, fatmirësisht deri më sot nuk kemi pasur asnjë nga bluzat e bardha që të ketë humbur jetën dhe nuk kemi asnjë nga bluzat e bardha që të ketë pasur nevojë për trajtim në kujdesin intensiv. Kjo ka ardhur si rezultat i një përgjegjshmërie dhe organizimi të punës. Por pikërisht në këtë kohë, infeksioni nuk ndodhi në të gjithë QSUT-në sepse nuk është mirë që të përgjithësohet e gjithë QSUT me 1 ose me 2 shërbime sepse në QSUT janë 57 ose 58 shërbime. Nga këto infeksione të mëdha patën vetëm 2 shërbime dhe pikërisht ato shërbime që trajtojnë pacientë që janë me faktorë risku shumë të madh për t’u prekur nga COVID siç janë pacientët e mjekësisë interne, pra pacientë që kanë disa lloje sëmundjesh: që kanë diabet dhe patologji të tjera që shtrohen. E rëndësishme është që u mbyll. Është një fenomen që ndodh, nuk ishte mirë që të ndodhte por është diçka që ndodh. E rëndësishme është që u mbyll”, theksoi Rakacolli.

Rakacolli argumentoi ndër të tjera se janë ende në fuqi masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë ku asnjë familjar nuk lejohet të shoqërojë pacientin brenda ambienteve të spitaleve. Sipas saj, edhe në spitalet rajonale apo ato bashkiakë, pacienti dorëzohet në hyrje të spitalit dhe më pas kujdeset personeli shëndetësor.

“Që në fillim të epidemisë dhe vazhdon të jetë në fuqi, është dhënë urdhër që të mos ketë familjarë që t’iu shërbejnë të sëmurëve dhe ky urdhër është zbatuar me rigorozitet edhe në kontrollet e ndryshme që janë bërë nga strukturat përkatëse. Në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit, nuk lejohen familjarët që të shoqërojnë pacientët siç ndodhte më parë. Pra, urdhërat janë dhënë që në fillim të epidemisë dhe vazhdojnë këto urdhëra të jenë në fuqi”, sqaroi ajo.

Kryetarja e Komitetit Teknik u shpreh se janë qytetarët shqiptarë që zgjedhin nëse kjo situatë të kalojë sa më lehtë, përmes respektimit të rregullave.

“E kemi në dorë. Nëse Spanja dhe Italia nuk e kishin shumë në dorë sepse nuk njihej mirë virusi, ne pas kësaj eksperience që kemi dhe sidomos pas këtij bashkëpunimi që kemi pasur me qytetarët, duhet të mësohemi ta bëjmë të gjithë. Kjo luftë mund të fitohet vetëm po të jemi të gjithë bashkë. Po nuk ishim të gjithë bashkë, po nuk dëgjuam njëri-tjetrin dhe po nuk besuam ata njerëz që u është ngarkuar kjo punë dhe dhanë prova që po e bënin shumë mirë. Këtë përgjigje do ta jepja edhe si qytetare e thjeshtë. Po të isha vetëm qytetare dhe të vëzhgoja se çfarë bën shumica, se çfarë po ndodh në Shqipëri, unë do të thoja që fazën e parë e bëmë shumë mirë, ashtu siç po më thonë edhe shumë qytetarë të tjerë që pse nuk po vazhdojmë si në fazën e parë. Ka shumë qytetarë të përgjegjshëm që thonë që ne po i mbajmë masat por nëse nuk i mbajnë të tjerët, s’ka shumë vlerë po i mbajtëm vetëm ne sepse ne do të infektohemi”, u shpreh Rakacolli.

Lidhur me mosrespektimin e masave të kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë si përdorimi i maskës apo distancimi social, Rakacolli u shpreh se “është një realitet i dhimbshëm sidomos nga të rinjtë që janë të kulturuar, të rinjtë që marrin informacione, janë të rinj me gjuhë të huaja, të rinj me elektronikë dhe sinqerisht më dhemb në shumë drejtime”.

“Maska të mbron shumë. Është provuar që virusi shpërndahet nga spërklat dhe është shumë normale që mbrojtja mekanike të mbron dhe të mban spërklat. Është provuar që edhe maskat janë një mjet i mbrojtjes i rëndësishëm dhe i domosdoshëm”, përfundoi Rakacolli. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.