Rindërtimi/ Mbi 20 mijë familje do të përfitojnë grante për rikonstruksionin e banesave, shuma 80 milionë dollarë

TIRANË, 24 qershor/ASH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur sot se mbi 20 mijë familje do të përfitojnë grantet për rikontruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjatë një takimi të zhvilluar me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e bashkisë së Kamzës ku nisi sot dhënia e granteve të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale, Ahmetaj tha se, shuma e vënë në dispozicion llogaritet të shkojë rreth 80 milionë dollarë.

Ministri u ndal edhe në ecurinë e procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga donatorët.

“Kemi një sërë donatorësh që kanë nisur punën, nga Komisioni Europian me UNDP, ka nisur KfW në emër të qeverisë gjermane me rindërtimin e shkollave. Qeveria e Katarit po zbaton projektin e shkollave. Po ashtu qeveria e Sllovenisë dhe qeveria austriake me fshatin austriak. Edhe qeveria e Zvicrës që ka pjesëmarrjen në ndarjen e grantit prej 750 mijë eurosh në bashkinë e Shijakut dhe të njëjtën gjë do të bëjë edhe në bashkinë e Kurbinit”, bëri të ditur Ahmetaj.

Ministri informoi se ka nisur edhe investimi për ndërtimin e infrastrukturës.

Nga ana tjetër, shtoi Ahmetaj, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka hapur fazën e dytë të thirrjes për shtëpitë individuale.

Lidhur me këtë, ministri deklaroi se brenda 10 ditëve presim që të kemi rezultatin e parë për të hapur në terren punën./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.