Qeveria financon me 109 milionë lekë bashkësitë fetare në vend

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e masës së financimit prej 109 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2020, për bashkësitë fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

Sipas këtij vendimi, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 824 000 lekë, të ndarë në: 11 544 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 74 punonjës të administratës dhe 20 280 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 130 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Po ashtu, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 740 000 lekë, të ndarë në 20 592 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 132 punonjës të administratës dhe 5 148 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 33 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 740 000 lekë, të ndarë në 6 240 000 lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të administratës dhe 19 500 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 125 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 696 000 lekë, të ndarë në 4 056 000  lekë për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 26  punonjës të administratës; 14 640 000 lekë për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit dhe 7 000 000 lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit.

Shuma do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2020, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që kalimi i fondit për bashkësitë fetare të bëhet njëherësh, brenda muajit qershor të vitit 2020./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.