MV – Ahmeti: Naser Ziberi kandidati mbipartiak dhe fitues për kryeministër

PRETOR, 24 qershor /ATSH-MIA/ – Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili nisi fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 15 korrik, në konventën promovuese në Prespë shpalosi emrin për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ish-deputetin dhe nënkryetarin e qeverisë dhe bashkëpërpilues i Marrëveshjes së Ohrit, Naser Ziberi.

“Pas konsultimeve intensive me shoqërinë civile, botën akademike, ekspertë dhe opinionin krijues, por edhe me miq e dashamirës, arritëm deri tek emri unifikues dhe me merita për të qenë i pari shqiptar që garon për të thyer edhe kornizën e fundit njëetnike në Maqedoninë e Veriut, atë të kryeministrit të vendit dhe ky është Naser Ziberi i cili i ka të gjitha virtytet për drejtuar ekzekutivin e vendit drejt barazisë së plotë”, theksoi Ahmeti.

Ndërsa kandidati për kryeministër në fjalën e tij u shpreh i bindur se ka ardhur koha për barazi të plotë.

“Më befasoi thirrja Ali Ahmetit me ftesë për takim në zyrën e tij. Më njoftoi që ishte konsultuar me shumë njerëz të respektuar të shoqërisë civile dhe akademike dhe se emri im ishte ndër të propozuarit si kandidat mbipartiak”, theksoi Naser Ziberi.

“Sinqerisht, u befasova dhe natyrisht u ndjeva i vlerësuar. Për të qenë plotësisht i sinqertë, mendova me vete se kjo jo vetëm që do të ndryshonte jetën time por ishte gjithashtu një përgjegjësi mjaft e madhe. Një vendim jo i thjeshtë për t’u marrë dhe jo shumë kohë për ta menduar. Por, çeliku kalitet në zjarr dhe individi vlerësohet nga vendimet që merr për të mirën shoqërore përballë rehatisë individuale dhe vendosa të them PO!, shtoi  Ziberi./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.