I indinjuar për listën e Tribunalit Special, sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ “Jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time”.

“Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës! Rroftë Kosova dhe sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare”, tha Rama.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për një varg krimesh kundër njerëzimit dhe krime të luftës, përfshirë vrasjen, zhdukjen me forcë të personave, persekutimin dhe torturat./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.