HEC i Lanabregasit hap tenderin për projektin e ndërtimit të centralit elektrik me erë

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Hidrocentrali i Lanabregasit, i ndodhur vetëm 6 kilometra larg Tiranës në fshatin me të njëjtin emër, pritet të diversifikojë burimin e prodhimit të energjisë, pasi po shikon mundësinë e ndërtimit të centralit elektrik me erë.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik është publikuar njoftimi ku kërkohet shërbim konsulence për hartimin e projektit të centralit elektrik me erë në favor të HEC Lanabregas.

Për studimin e fizibilitetit të centralit elektrik me erë është vendosur një fond prej 3.2 milionë lekësh nga të ardhurat e vet HEC-it të Lanabregasit.

HEC-i i Lanabregasit është ndërtuar gjatë viteve 1948 dhe ka filluar prodhimin e energjisë elektrike në vitin 1951. Ky HEC furnizohet nga burimet e Shën Mërisë dhe Selitës.

Kapaciteti i instaluar është 5 megavat. Pas vitit 2012, HEC-i i Lanabregasit kaloi në pronësi të Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Ky HEC përveç prodhimit të energjisë shërben edhe për furnizimin me ujë të banorëve të Tiranës. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.