Elbasan-Banjë, rruga me infrastrukturë më të mirë për banorët dhe vizitorët

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Banorët e disa fshatrave të Elbasanit, por edhe vizitorët kanë tashmë një aks të ri me infrastrukturë më të mirë duke lehtësuar ndjeshëm aksesin për në këtë zonë.

Në sajë të investimit të Qeverisë shqiptare u bë i mundur rehabilitimi i 8.5 km të fundit të rrugës Elbasan-Banjë, ndërtimi i 3 urave përgjatë këtij segmenti si dhe plotësimi me sinjalistikën e nevojshme duke rritur elementët e sigurisë rrugore.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga rruga e përfunduar.

“Mirëmëngjes ju uroj rrugë të mbarë në aksin e ri Elbasan – Banjë”, – shprehet Rama.

Për herë të parë në këtë aks rrugor janë realizuar shtresat asfaltike me pluhur gome (riciklim i gomave të përdorura) si Teknologji e Gjelbër.

Gjatësia e rrugës është 8,58 km, me një gjerësi 8,5 metra, ndërsa pjesa e përshkueshme është 6,6 m. Kjo rrugë shkon deri në Mollas, ndërkohë që lidh shumë fshatra, që kanë një zhvillim agrokulturor mjaft të rëndësishëm./k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.