Basha me biznesin e vogël në Vorë: Ndihma për qytetarët në nevojë as 10 euro për frymë

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ “Të krijojmë bashkë me gjithë shqiptarët potencialet dhe mundësitë për një jetë normale dhe për një jetë më të mirë për njerëzit e zakonshëm”, tha sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili u takua në Vorë me biznesin e vogël.

Basha tha se, “në vend që gjysmë milioni euro të taksave tuaja të shkonin për të mbështetur njerëzit dhe konsumin që ka rënë në nivelet historike, këto i përpijnë kriminelët”.

Kjo, theksoi Basha, “është arsyeja, pse ndryshe nga Kosova, ndryshe dhe nga Maqedonia, ndonëse sot është data 24 qershor ne nuk kemi arritur t’u japim dot qytetarëve në nevojë as 10 euro për frymë. Ku shkojnë paratë e taksave tuaja, të rritura në këto 7 vite? Ku shkojnë paratë e energjisë dhe të naftës, që është më e shtrenjta në rajon dhe ndër më të shtrenjtat në Europë?”

“Dje në një bashkëbisedim me sipërmarrës të përgjegjshëm, njëri prej tyre më tha se ishte detyruar të largonte afro 140 kryefamiljarë nga puna. Pothuajse me lot në sy më tha “nuk kisha se çfarë të bëja nuk i paguaja dot, por nga ana tjetër tha për ironi të fatit vazhdoj të paguaj kokërr më kokërr çdo taksë e çdo tatim”. Përmendi taksën e tabelës në bashkinë e Tiranës, e cila ka shkuar në 12 milionë lekë për këtë biznes, të cilën e pagoi kokërr më kokërr  edhe gjatë kohës kur biznesi ishte i mbyllur për shkak të masave të pandemisë. Pra lekët e taksave i kanë marrë, tatimorët i kanë sulur si banda, paratë e taksave shkojnë tek inceneratorët, shkojnë tek oligarkët dhe jo tek njerëzit. Kjo është arsyeja pse konsumi ka rënë”, u shpreh Basha.

“Një orë më parë duhet të bashkohemi për t’ia kthyer qeverisjen vendit, për t’i kthyer legjitimitetin institucioneve dhe, përmes kësaj, për të kthyer taksat tuaja në ndihmë për ju, për konsumatorët dhe për sipërmarrjen shqiptare para se Ramavirusi dhe kriza e thellë ekonomike, që ai ka provokuar, ta gërryejë nga themelet këtë vend. Do të bëhemi bashkë ta ndalim këtë të keqe dhe të krijojmë bashkë me gjithë shqiptarët potencialet dhe mundësitë për një jetë normale dhe për një jetë më të mirë për njerëzit e zakonshëm, të cilët flasin pa asnjë dorashkë realitetin”, u shpreh Basha gjatë takimit me bizneset e vogla në Vorë.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.