Serra e domateve në Thumanë me mbështetjen e AZHBR-së/ Historia e punëtorit të kthyer nga emigracioni që ka punësuar të prekur nga tërmeti

TIRANË, 23 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në një serrë domatesh në Thumanë, e ndërtuar nga një tjetër punëtor i kthyer nga emigracioni, falë edhe mbështetjes financiare nga qeveria shqiptare përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural.

“Në serrat e domateve të Matit, një tjetër punëtor i kthyer nga emigracioni, që si plot e plot të tjerë punojnë e prodhojnë pa llafe, pa ankesa, duke ndërtuar me mund e djersë suksesin e tyre, falë edhe mbështetjes financiare nga qeveria shqiptare përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural”, tha Rama.

Rama tha se bazuar në shifra e fakte shohim se po po avancon shumë mentaliteti dhe po thyhet barriera e tmerrshme: ‘secili te ngastra e vet’.

“Ne jemi pronto, mbështetja e shtetit nuk diskutohet sot se shteti quhet se është në xhep tani, se deri dje nuk kujtohej njeri. Ata që nuk kujtoheshin dje thonë tani se po vdesin njerëz për bukë”, tha Rama.

Drejtoresha e AZHBR-së Frida Krifca u shpreh se “Mati ka ndërtuar këtë serë izraelite në vitin 2016 me mbështetjen e AZHBR-së. Me një fond prej 15.2 milionë lekë të reja ka ndërtuar 1,5 ha serrë. Stafi i serrës përbëhet i gjithi nga banorë të prekur nga tërmeti. Këtu kultivohet domate industriale e parakontraktuar e gjitha me Kujtimin”, tha Krifca.

Ndërkohë sipas saj, “Kujtimi është aplikant i programit IPARD, i cili do të ndërtojë një pikë grumbullimi dhe ka kontakte shumë të mira me përpunues të domates “semidry” në Itali”.

“Kujtimi sjell fidanin, mbjelljen e bën Mati dhe i gjithë produkti është i parashitur në Itali për përpunimin ‘semidry'”, tha Krifca ndërsa theksoi se po mendohet edhe zgjerimi me 10 ha i sipërfaqes së serrave.

Në këtë serrë i gjithë prodhimi është bio dhe merret një prodhimtari prej 170-180 kuintalë domate për dynym. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.