Rifillimi i transportit publik/ Publikohet protokolli i sigurisë

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Pas vendimit të marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për t’i dhënë dritën jeshile rifillimit të punës së sektorit të transportit publik, pas ndërprerjes për shkak të pandemisë COVID-19, Taskforca e Transportit Rrugor ka publikuar protokollin e sigurisë që duhet zbatuar nga kompanitë e transportit dhe qytetarët.

“Në kuadër të azhornimeve më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me rregullat antiCovid, ftojmë të gjithë Operatorët e Transportit Publik të respektojnë masat e sigurisë”, thekson Taskforca e Transportit Rrugor.

Sipas këtij protokolli duhet që numri i udhëtarëve do të lejohet me kapacitet 70%. Ulja e udhëtarëve do të jetë në mënyrë diagonale. Në protokoll sqarohet se drejtuesi i mjetit duhet të ketë maskë mbrojtëse dhe doreza. Po ashtu, udhëtarët detyrimisht duhet të jenë me maska dhe doreza. Hipja dhe zbritja do të bëhet në dyer të ndryshme. Nëse udhëtari shfaq shenja të COVID-19, shoferi do duhet të njoftojë në numrin 127.

Sipas protokollit, duhen dezinfektuar makinat. Po ashtu, gjatë udhëtimit duhet ajrosur makina. Në terminal duhet zbatuar distancimi. Terminali të dezinfektohet. Në mjete të vendosen postera kundër përhapjes COVID-19. Të respektohen masat e higjienës.

Taskforca e Transportit Rrugor bën apel për të qenë të vëmendshëm në respektimin dhe zbatimin e masave. Çdo operator do të jetë në monitorim nga Njësia Operacionale antiCovid. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.