807 persona aktivë me COVID-19 kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Durrës

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në vendin tonë janë aktualisht 807 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është drejtuar të gjithë bizneseve, qytetarëve për të treguar kujdes në zbatimin e masave të vendosura sipas protokolleve të sigurisë pasi virusi ka ende transmetueshmëri të lartë, kemi rritje të rasteve të reja ditore pozitive si dhe të rasteve që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Nisur nga rastet pozitive ditore kryesisht në ndërmarrjet me shumë punëtorë dhe kontakte në vendet e punës, i bëjmë thirrje edhe një herë bizneseve të respektojnë protokollet e sigurisë, distancimin fizik, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve, mbajtjen e maskave kudo ku ofrohet shërbimi për qytetarët. Me rihapjen e transportit publik është domosdoshmëri mbajtja e maskës nga të gjithë, ata në shërbim dhe përdoruesit e transportit publik, dezinfektimi i mjeteve të transportit etj”, tha Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë nuk do të tolerohet asnjë shkelje ndaj rregullave të sigurisë si rrezik i mundshëm për cdo qytetar.

“Taskforca antiCovid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve. Edhe një herë një kujtesë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri: Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën. Ruani distancën në ambientet publike. Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse. Mos u grumbulloni me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid-19. Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes, nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127”. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.